Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Kavajës për të prezantuar kandidatët e koalicionit PD – ASHM për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikë dhe premtoi mbështetje konkrete për ta, përmes heqjes së mesatares në universitete, subvencioneve për punësim dhe ndihmës për strehim.

Berisha u zotua për një buxhet të dyfishuar për shëndetësinë dhe një listë barnash të rimbursueshme të njëjtë me atë të Italisë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqmenaxhim dhe për situatën alarmante në spitalin onkologjik. Lideri demokrat preku edhe çështjen e fermerëve, duke premtuar 5-fishim të subvencioneve për ta. Gjithashtu, Berisha tha se Partia Demokratike është e vetmja forcë që garanton integrimin europian të Shqipërisë.