Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot në Fier, kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal tek programi i PD-së për mirëqenien, ndërsa premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes, do të ketë zero varfëri ekstreme.

“Unë jam sot para jush për të paraqitur së bashku me përfaqësuesit tuaj të ardhshëm projektin tonë për Fierin madhështor, Lushnjën madhështore, Mallakastrën madhështore, Patosin madhështor, Roskovecin madhështor. Unë vij tek ju si përfaqësues i koalicionit më të madh opozitar të krijuar që nga vitet ’90 gjer sot. Por, vijë gjithashtu me projektin më të mirë, me projektin që krijon mundësi të re për çdo shqiptare dhe shqiptar, për çdo të ri dhe të re, për çdo burrë dhe grua, për çdo fermer dhe punëtor, për çdo biznesmen, për mbarë qytetarët shqiptarë. Projekti ynë nis jetën e tij me mbrojtjen e vlerave themelore të individit, të familjes, të shoqërisë”, tha ai.

“Ne besojmë se dinjiteti i njeriut, se dinjiteti njerëzor është vlera e të gjitha vlerave, për të cilën jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë, të paguajmë çdo çmim në mënyrë që çdo shqiptar të trajtohet me dinjitet. Ne shpallim solemnisht se në Shqipëri në 100 ditët e para do ketë zero varfëri ekstreme”, tha Berisha, ndërsa shtoi se nuk do të ketë pension më pak se 200 euro në muaj.

Berisha tha se programi i “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do bëjë që rroga minimale të jetë brenda tre muajve deri në 500 euro.

“Pensionistët do t’i marrin ushqimet 20 përqind më lirë se të tjerët. E gjithë TVSH-ja e blerjeve të tyre do u rikthehet dhe në një vit arrin 450 euro, arrin rreth dy-tre pensione, arrin rreth një rrogë minimale.

Pra miq, me këtë projekt ne u krijojmë një mundësi atyre që shkrinë jetën e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie e kemi sot, të jetojnë me dinjitet. Të mos presin ilaçet e tyre nga njerëzit e tyre jashtë, por t’i marrin këtu pa lekë, dhe t’i marrin të njëjtën cilësi”, vijoi Berisha.