BERZH dhe BE ndajnë 377 milionë euro për digjitalizim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Ballkani Perëndimor

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me mbështetje të Bashkimit Evropian përgatiti program “Go Digital”, në vlerë 377 milionë euro, i dedikuar për digjitalizim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Ballkani Perëndimor me qëllim të nxitjes së inovacioneve dhe rritjes në sektorin privat.
Programi do t’i ofrojë këto mjete për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga rajoni i Ballkanit Perëndimor përmes huave, granteve dhe ndihmës teknike për investime në digjitalizim, automatizim dhe teknologji të gjelbra.
Siç është paraparë, BERZH do të ndajë hua në vlerë deri 350 milionë euro për institucione financiare partnere nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, të cilat pastaj do të huazojnë mjetet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bizneset do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe stimulime për grante në vlerë prej 10 për qind nga shuma e huasë, të financuara nga BE-ja. Në përgjithësi, BE-ja do të sigurojë 27,6 milionë euro grante dhe ndihmë teknike për programin përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (VBIF).
Programi ka lidhje me pilot programin e suksesshëm në Bosnjë e Hercegovinë, përmes të cilit me investime ishin mbështetur gati 200 kompani lokale.
Sipas drejtorit në BERZH, Frensis Malixh ky program ka për qëllim t’i mbulojë zbrazëtirat teknologjike dhe dukshëm ta avancojë digjitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor, duke u mundësuar që të bëhen më inovative, më produktive dhe më konkurruese në nivel global.
Zëvendës-shefi i delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, Adebajo Babaxhide, vlerësoi se me vendosjen e kësaj nisme rajonale, Bashkimi Evropian e konfirmon mbështetjen e tij të fuqishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si shtyllë e ekonomive në rajon.
“Nëpërmjet këtij programi, rreth 750 biznese do të marrin mbështetje jetike për inovacionin, digjitalizimin dhe pranimin e teknologjive të gjelbra. Nisma bazohet në suksesin e projektit tonë pilot prej 11,5 milionë eurosh në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili tashmë ka ndihmuar mbi 200 kompani të përmirësojnë produktivitetin dhe konkurrencën e tyre”, deklaroi Babaxhide.
Sipas tij, grantet jo vetëm që sigurojnë ekspertizë teknike dhe stimulime, por edhe mundësojnë financim më të kapshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me theks të veçantë të atyre të udhëhequra nga gra.
“Në kombinim me reformat vijuese për përmirësim të rrethinës afariste, ky program e hap rrugën për rritje ekonomike, qëndrueshmëri dhe integrim më të thellë të rajonit në tregun e vetëm evropian”, konkludoi Babaxhide.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99 për qind të të gjitha bizneseve në Ballkanin Perëndimor dhe ato luajnë rol kyç në përmbushjen e synimeve të tranzicionit digjital dhe të gjelbër. Megjithatë, shumë prej tyre përballen me probleme në adoptimin e praktikave dhe transformimit digjital, kështu që niveli i tyre i digjitalizimit është 20 pikë përqindje më i ulët se ai i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në BE, vetëm një e pesta e tyre shesin onllajn dhe më pak se 10 për qind kanë përdorur procese digjitale më inovative.
Ky program synon të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në rajon të rrisin ndërgjegjësimin digjital dhe qasjen në financa. Këto kompani do të jenë në gjendje të aplikojnë për financim për një gamë të gjerë teknologjish dhe investimesh, nga adoptimi i proceseve industriale të automatizuara dhe robotike deri te përdorimi i mjeteve komplekse digjitale për vendimmarrje, mbledhje të të dhënave dhe analiza. Linja e kredisë do të jetë e disponueshme në më shumë se 10 institucione financiare rajonale – banka dhe kompani lizing – partnerë të BERZH-it.
Pritet që programi të kontribuojë për përmirësim të kushteve socio-ekonomike në rajon dhe për përforcim të lidhjeve me Bashkimin Evropian. Nga viti 2009, BE-ja siguroi 628 milionë euro për mbështetje të rritjes në sektorin privat në vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes granteve, garancive dhe financimeve të kombinuara, duke ndihmuar që të ndërtohen kushte më inovative dhe më të këndshme për biznesin.
BERZH, nga ana tjetër, është investitor institucional kyç në Ballkanin Perëndimor me afro 20 miliardë euro të investuara në rajon nga mesi i viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, e deri më sot.