BFI-ja po rrezikon të shndërrohet në një organizatë amorfe, me një qendër fiktive dhe periferira të egra, ku çdo myftini, çdo institucion, çdo imam të ketë “shtetin” e vet. E në këtë gjendje, as feja, as komuniteti, e as morali nuk mund të mbijetojnë. Koha për heshtje ka kaluar

Nga Mr. Eset Shaqiri

Nga vëzhgimi i zhvillimeve të fundit brenda Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është gjithnjë e më e qartë se po ndodh një proces i qëllimshëm dhe sistematik i fragmentimit institucional, keqinterpretimit administrativ dhe deformimit të identitetit të vetë institucionit më të lartë fetar islam në vend. Në epiqendër të këtij procesi ndodhet figura e Shaqir Fetait, i cili, përmes manovrave të tij të dukshme gjuhësore e organizative, duket se ka ndërmarrë një projekt të heshtur por të rrezikshëm të deinstitucionalizimit të BFI-së.
Në vend që të konsolidojë dhe unifikojë emërtimin institucional të organeve të BFI-së, Shaqir Fetai ka zgjedhur të nxisë një rikonceptim terminologjik që krijon përshtypjen e ekzistencës së entiteteve të pavarura brenda një strukture që, në fakt, duhet të jetë unike dhe e pandashme. Shembujt e shumtë si: “Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Shkup” ose “Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Gostivar”, nuk janë thjesht lojëra semantike, por përfaqësojnë një tentativë për të paraqitur këto njësi si entitete më vete, të barasvlershme me BFI-në, dhe jo si degë të saj të centralizuara.
Ky emërtim nuk është rastësi. Në vend që të thuhet siç është saktë: “Myftinia e Shkupit pranë BFI-së”, përdorimi i emrit në formën “BFI – Shkup” krijon një atmosferë të një organizimi paralel institucional, duke e lënë të nënkuptohet sikur në vend kemi më shumë se një Bashkësi Fetare Islame. Një analogji politike do ta nxirrte këtë absurditet në sipërfaqe: a guxojmë të themi “Qyteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Shkupi” në vend të “Qyteti i Shkupit në RMV”? Kjo do të ishte një katastrofë konceptuale dhe juridike që do të hapte derën për shtete të shpërbëra në njëmijë pjesë.
Kjo tendencë e fragmentimit nuk ndalet vetëm në strukturën e myftinive. Ajo vazhdon me deformimin institucional të Medresesë “Isa Beu”. Në një veprim të pashembullt të manipulimit arsimor, Shaqir Fetai ka lejuar dhe promovuar konceptin e “pesë medreseve”, përmes emërtimit të paraleleve të dispersuara si njësi të veçanta, madje duke i festuar ato si “jubile” autonome. Në fakt, pas regjistrimit të një shkolle private që përdor emrin historik të “Medresesë Isa Beu”, çdo paralele e saj duhet të funksionojë ligjërisht si pjesë përbërëse e një institucioni të centralizuar arsimor, sipas kritereve të Ministrisë së Arsimit. Me këtë rast, ndërpritet tradita e funksionimit të paraleleve paraprake me program specifik dhe vazhdojnë paralele te reja qe thirren ne emër të paraleleve të vjetra por që nuk kanë të bëjnë asgjë me ato parapraket! Faktikisht, Shaqir Fetai po shkakton një kaos të strukturuar që hap rrugë për mashtrime administrative, pedagogjike dhe sidomos financiare.
Po flitet për një hile financiare të drejtpërdrejtë: nëse për Medresenë e dikurshme Isa Beu, janë mbledhur, bie fjala, 200 mij euro nga fitri e zeqati, tani, për “pesë medresetë” e Shaqir Fetait duhet të mblidhen nga po aq euro. Dhe, krejt kjo, do të krijonte mundësira më të mëdha për vjedhje dhe zhvatje në emër të zhvillimit të jetës fetare islame në RMV.
Logoja zyrtare e BFI-së, ajo që përmban Kuranin e hapur me mbishkrimin “Ikre”, ka funksionuar si simbol unifikues i të gjitha organeve dhe institucioneve nën ombrellën e saj. Por edhe këtu, Shaqir Fetai ka lejuar dhe stimuluar krijimin e logove të veçanta për çdo myftini, çdo institucion e çdo degë. Kjo nënkupton institucionalizimin e pavarësive të fshehta, duke e shkatërruar imazhin unitar dhe koheziv të BFI-së. Në praktikë, krijohen “institucione” të vogla me identitet të veçantë vizual, që më shumë i ngjajnë OJQ-ve sesa një strukture fetare të centralizuar.
Të gjitha këto veprime – nga emërtimet, te paralelet e dispersuara dhe deri te simbolet vizuale – tregojnë për një vizion të rrezikshëm të Shaqir Fetait për ta kthyer BFI-në në një konfederatë të copëzuar myftinish, medresesh dhe xhematësh. Në këtë lëmsh plural, ai projekton veten si “prijës i elitës” – një strukturë që përfiton nga përçarja, jo nga uniteti. Kjo nuk është as vizion, as reformë, por një rrugë drejt degjenerimit institucional, përmes të cilit përfitimi personal mbivendoset mbi interesin e përgjithshëm fetar dhe kombëtar.
Nëse kjo strategji e fragmentimit nuk ndalet, BFI-ja rrezikon të shndërrohet në një organizatë amorfe, me një qendër fiktive dhe periferira të egra, ku çdo myftini, çdo institucion, çdo imam të ketë “shtetin” e vet. E në këtë gjendje, as feja, as komuniteti, e as morali nuk mund të mbijetojnë. Koha për heshtje ka kaluar. Është koha për të kërkuar llogari, ristrukturim të qartë, dhe ndërprerjen e çdo praktike që nxit përçarjen e që shkatërron institucionalitetin fetar në RMV.