Një pjese e tavanit ka rënë në dysheme, andaj pishina në Qendrën Sportive “Boris Trajkovski” është mbyllur.

“Jemi në sallën “Boris Trajkovski” dhe para disa ditësh ka rënë një pjesë e tavanit, mirëpo për fat të mirë për shkak të festave nuk ka pasur njerëz këtu brenda”, raporton TV21.

Drejtori i kësaj qendre Daniell Apostollovski, tha se kjo pishinë kërkon më shumë vëmendje.

“Kjo pishinë daton që nga viti 78 -79 ku është hapur dhe bërë për herë të parë, disa gjëra të caktuara nuk janë mbajtur mirë me kalimin e kohës, mirëpo nuk duam të hyjmë, kush, si, Ka investuar në të, megjithatë fakti për momentin e tregon se këtu duhet të kushtohet më tepër vëmendje”, tha Daniell Apostollovski – drejtor i Qendrës Sportive “Boris Trajkovski.

Apostollovski thotë se Fakulteti i Ndërtimtarisë u ka sugjeruar që të punojnë ekipe nga ndonjë kompani serioze, që të hapen panelet e pllakave të tavanit, të detektohet se çfarë po paraqet problem dhe të sanohen, me qëllim që pishina të funksionojë gjatë verës.

“E gjithë puna që iu thash mund të na kushtojë një muaj e gjysmë deri dy, që për periudhën e verës të munden klubet, reaktivistët që vijnë këtu ta shfrytëzojnë së paku periudhën e verës për atë të vendosim hapësirë për rikonstruimin e madh, që patjetër duhet të ndodhë ta fillojmë diku në tetor, nëntor varësisht prej asaj se si do bëjmë me marrëveshje me Qeverinë për detajet, sepse ky objekt ka rëndësi kapitale për të gjithë qytetarët që duan ta shfrytëzojnë, kështu që mendoj se nuk qëndron se a duhet por kur duhet të fillojmë me rikonstruimin”, shtoi drejtori i Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”, Daniell Apostollovski.

Ndryshe kjo pishinë është rinovuar në vitin 2010.