Detaje nga udhëtimet private të Elon Musk janë zbuluar pas një sulmi kibernetik ndaj kompanisë NetJets Inc., duke nxjerrë në dritë një dokument që përshkruan rregullat strikte të miliarderit gjatë fluturimeve me avion privat, shkruan A2 CNN.

Sipas dokumentit, Musk përshkruhet si një person “i sjellshëm dhe i qetë”, por stafi i bordit duhet të shmangë çdo bisedë, përveç nëse u drejtohet ai i pari. Ai kërkon që kabina të jetë në temperaturë të ulët, rreth 18°C (65°F), me sistemin e ajrosjes individuale të fikur, pasi “nuk i pëlqen zhurma”.

Dritat duhet të jenë të zbehta, pasi shpesh preferon të flejë gjatë fluturimeve, edhe kur janë udhëtime ditore. Ai është gjithashtu shumë i ndjeshëm ndaj ndërprerjeve të internetit gjatë fluturimit, por nuk preferon të ofrohet ndihmë teknologjike, pasi i zgjidh vetë problemet.

Dokumenti, siç raporton “The Sun”, nënvizon se Musk “nuk shqetësohet për kursimin e karburantit”, por dëshiron që udhëtimi të jetë sa më i shpejtë dhe direkt. Kjo bie në kontrast me imazhin e Tesla-s si kompani e përkushtuar ndaj energjisë së pastër.

Avioni i preferuar i Musk është Gulfstream G650ER, një nga avionët privatë më luksozë në botë. Ai përmban tre ambiente të veçanta, pajisje moderne teknologjike me ekrane të shumta, internet gjatë fluturimit, sedilje që shndërrohen në shtretër, dy tualete me lavamanë prej graniti, si dhe një kuzhinë me furrë dhe mikrovalë. Dritaret dhe tavolinat kontrollohen me butona, ndërsa avioni përshkon deri në 12 mijë kilometra me shpejtësi afër Mach 0.93 (mbi 1200 km/h), duke mundësuar fluturime ndërkontinentale pa ndalesë.