Corriere della Serra i ka kushtuar një artikull kardinalëve të cilët bëhen gati për konklavën, procesin e përzgjedhjes së Papës së ri.
Me nota humori dhe ironike, media italiane tregon detaje nga ‘jeta njerëzore’ e kardinalëve.
Në “Caffè dei Papi” (i pashmangshëm) në rrugën Vespasiano, mes Muzeve të Vatikanit dhe Sheshit Shën Pjetri, kryeipeshkvi në pension Anselmo Guido Pecorari, 79 vjeç, nga Mantova, ndaloi për një sanduiç dhe një birrë të vogël pas meshës së ditës së dytë të nëntëditëshit të lutjeve:
“Sot po qëndroj i lehtë,” — shmanget ai me një buzëqeshje, — “por mbrëmë, me mikun tim kardinal Mario Zenari nga Verona, nunc apostolik në Siri, ishim në restorantin La Taverna, në cep të rrugëve Candia dhe Tunisi, dhe hëngrëm disa carciofi alla romana të shkëlqyer — nuk ju them dot sa të mirë ishin! Një pjatë që e çmend Zenarin, sepse në Siri nuk gjen askund angjinare.”
Darkat në restorant
Konklava po afron, dhe çdo ditë që kalon, në Romë mbërrijnë kardinalë nga e gjithë bota.
E çfarë bëjnë ata ndërkohë që presin të mblidhen në Kapelën Sistine?
“Eh, çfarë të bëjnë?” — psherëtin kryeipeshkvi Pecorari, mik i shumë beretave të kuqe, edhe i atyre që mund të bëhen Papë. — “Flasin, njihen, ‘nuhasin’ njëri-tjetrin dhe dalëngadalë fillojnë të krijojnë profilin e atij që do të jetë pasuesi i Françeskut. Dhe besomëni, më mirë ta bëjnë këtë në restorant sesa në Santa Marta: jashtë, në tavolinë, je më i qetë dhe mbi të gjitha, larg veshëve kureshtarë. I vetmi problem është të mbarosh darkën para orës 22:30, përndryshe duhet të kërkosh leje nga rojet zvicerane te hyrja Petriana për të hyrë brenda.”
Te hyrja Petriana, ashtu si te Porta e Peruginos, rojet papnore nuk duan të duken si Cerberë:
“Kardinalët i njohim të gjithë,” — thotë një i ri me uniformën karakteristike gala me ngjyrë blu, të kuqe dhe të verdhë — “Edhe nëse vonohen, i lëmë të futen pa problem.”
Santa Marta si një hotel
Santa Marta, ku ka jetuar dhe ka ndërruar jetë Papa Françesku, është rezidenca që do të strehojë kardinalët votues gjatë Konklavës.
“Është si një hotel, prandaj duhet bërë kujdes,” — shton kryeipeshkvi Pecorari. — “Nuk mund t’jua them emrin sepse është mik i imi i ngushtë, por një kardinal i huaj, që mendonte se gjithçka ishte falas, ftoi në dhomë disa kolegë për të biseduar pas darke, dhe përfunduan të gjithë likerët e vegjël të minibarit. Pastaj i gjeti të gjitha në faturë, dhe i erdhi shumë keq.”
Ditët e pritjes
Një gotë e vogël likeri ndihmon… Janë ditë të vështira këto, me dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta e Françeskut dhe me tensionin që u rëndon mbi supe kardinalëve që do të zgjedhin pasuesin e tij. Ditët janë të gjitha të njëjta: duhet shkuar dy herë në ditë në Sallën Pali VI për Kongregacionet e Përgjithshme, marrë pjesë në meshët e nëntëditëshit në Shën Pjetër, vizituar kisha të ndryshme, takuar besimtarët.
Prandaj ndonjëri përpiqet të çlodhet pak:
Kardinali spanjoll Santos Abril y Castelló, për shembull, është pasionant i tenisit dhe sa herë që mundet, bën ndonjë ndeshje.
“Vetëm se ai urren të humbasë,” — zbulon miku i tij Pecorari, — “dhe ka shpikur një truk: kur po e sheh që do humbasë, i bën shenjë ndihmësit të tij jashtë fushës, i cili pas pak hyn dhe e ndërpret ndeshjen duke thënë se ka një telefonatë urgjente për kardinalin. Dhe kështu seti shpëtohet…”
Mauricio Jardin, brazilian, ipeshkv në Mato Grosso, tregon që hobi i preferuar i mikut të tij kardinal Jaime Spengler, kryeipeshkëv i Porto Alegrës, janë letrat:
“Luante edhe me mamanë time, Cecy. Në Santa Marta do duhet të kënaqet me kolegët.”
Akullorja në qumështore
Këto ditë mund t’i gjesh kardinalët të ulur në “La Rustichella” në cep të rrugës Emo, ose te “Marcantonio” në Borgo Pio, i preferuar nga italianët për karbonarën mitike.
“U kam rekomanduar sidomos miqve të mi anglezë e amerikanë të mos dalin me rrobën e kuqe dhe të fusin unazën kardinalore në xhep, përndryshe pronarët e lokaleve i ‘therin’ sidomos me çmimet e verës,” — tregon Pecorari.
Thuhet se ndodhin gjëra të çuditshme kur hyjnë kardinalët në lokale. Nuk është vetëm “shumëzimi” i çmimit të verës. Disa ditë më parë, në Borgo Pio, dy kardinalë hynë në qumështoren historike “Latteria Giuliani” për të marrë një akullore. Kishte shumë njerëz, dhe papritur disa klientë u gjunjëzuan për të marrë bekimin. U krijua një moment sikleti, ata u bënë shenjë njerëzve të ngrihen, por akulloret me krem dhe fistik ishin gati të shkriheshin…
Fati dhe dhomat me short
Kryeipeshkvi Ignazio Sanna, komisar pontifik i Abacisë së Farfës (Rieti), vizitoi së fundmi këtë vend bashkë me mikun e tij kardinalin korean Lazarus You Heung-sik, që përmendet edhe nga ata që ndjekin “Fantapapën”.
Sanna thotë se dhomat në Santa Marta shpërndahen me short, që të mos ketë ankesa.
Ndërsa flasim në sheshin e Qytetit Leonina, shfaqet një tjetër kandidat favorit, kardinali afrikan Robert Sarah, nga Guinea, që banon aty afër. Kur kupton që pyetja është nëse ndihet në garë me koreanin You, miku i Sannës, Sarah e mbyll derën e rëndë pas vetes dhe thotë se duhet të nxitojë për të shkuar të lutet para varrit të Françeskut në Santa Maria Maggiore me kardinalët e tjerë. Dhe kjo është e vërtetë.
Fushata elektorale
“Tashmë ka nisur fushata elektorale. Sepse Shpirti i Shenjtë frymëzon, por nuk voton. Prandaj, një marrëveshje do duhet gjetur herët a vonë”, — bën shaka Sanna, sard i vërtetë ashtu si kardinali Angelo Becciu, për pranimin e të cilit në Konklavë — pas “zhveshjes nga kardinalati” nga Françesku në vitin 2020 — do të vendoset, konfirmon kryeipeshkvi i Oristanos, me një votim të kolegjit të shenjtë në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, te “Caffè dei Papi”, monsinjor Pecorari — ish-nunc në Ruandë, Uruguai (ku ka njohur edhe Bergoglion), Bullgari dhe Maqedoni — çohet sepse duhet të marrë trenin për t’u kthyer në Mantova.
“E dini që Tagle këto ditë është i tmerruar?” — pyet ai.
Kush? Luis Antonio Gokim Tagle, kardinali filipinas që është gjithashtu ndër favoritët?
“Po,” — përfundon kryeipeshkvi. — “Sepse vite më parë këndoi në një lokal këngën Imagine të John Lennon-it, dhe videoja është bërë virale këto ditë. Mendoj se këto ditë do ta shohim rrallë nëpër Romë.”