Grenlanda dhe Danimarka kanë rënë dakord të forcojnë lidhjet e tyre në përgjigje të interesit të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit strategjik Arktik, thanë liderët pas takimit në Kopenhagë.

Kryeministri i ri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, filloi dje një vizitë tre-ditore në kryeqytetin danez, si shenjë uniteti midis territorit gjysmëautonom danez të pasur me minerale dhe Danimarkës.

“Ne jemi në një situatë të politikës së jashtme që na kërkon të bashkohemi,” tha Nielsen në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministren daneze Mette Frederiksen.

Të dy kryeministrat u takuan mes muajsh tensioni mbi deklaratat e përsëritura të Trump se Groenlanda duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.

“Ne jemi gati për një partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillim më të madh, por duam respekt… Ne nuk do të jemi kurrë një pjesë e pronës që dikush mund ta blejë”, tha Nielsen.

Ai shtoi se zgjerimi i vazhdueshëm i konsullatës amerikane në Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës, për të cilin u ra dakord para se Trump të merrte detyrën, po shkakton shqetësim tek grenlandezët.

Frederiksen tha se Danimarka është e gatshme të investojë më shumë në Grenlandë dhe ta mbështesë atë financiarisht, ndërsa Kopenhaga i jep asaj më shumë autoritet mbi çështjet e brendshme, si pjesë e një “modernizimi” të marrëdhënieve të tyre.

Danimarka ka bërë thirrje për rritje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e Arktikut, dhe Nielsen dhe Frederiksen thanë të dielën se ishin të përkushtuar për forcimin e mbrojtjes në rajon.

Mbreti danez Frederik do të udhëtojë në Grenlandë të hënën si një akt i mëtejshëm solidariteti.