Zëvendëstrajneri i Real Madridit, Davide Ancelotti, ka deklaruar se Kylian Mbappé “është i vetëdijshëm për atë që ka bërë” dhe ka kërkuar ndjesë pas përjashtimit me karton të kuq në ndeshjen ndaj Alaves.
Gjatë fitores 1-0 të madrilenëve në transfertë, në minutën e 38-të, Mbappé ndërhyri ashpër ndaj mesfushorit të Alaves, Antonio Blanco, duke e goditur lart në këmbë me takat e tij. Fillimisht gjyqtari Cesar Soto Grado i dha vetëm karton të verdhë sulmuesit francez, por pas rishikimit me VAR, vendosi ta ndëshkonte me të kuq, duke përmendur në raportin zyrtar përdorimin e “forcës së tepruar”.
LEXO EDHE:
Tension në Romë para derbit, përplasje mes tifozëve, policia ndërhyn me ujë
Davide Ancelotti, që zëvendësoi babanë e tij Carlo në pankinë për shkak të akumulimit të kartonëve, tha se reagimi i Mbappé-së ishte pasojë e frustrimit nga ndërhyrjet e shumta të pësuara më herët gjatë lojës.
“Nuk kam folur ende me të, por mbi të gjitha duhet thënë se Mbappé nuk është lojtar i dhunshëm. Ai ka kërkuar falje dhe është i vetëdijshëm për atë që bëri. Ishte karton i kuq dhe ai e pagoi. Sigurisht, shumë faulle të vogla ndaj tij ndikuan në reagimin e tij, por nuk është mënyra e duhur për të reaguar,” u shpreh Ancelotti.
Burime të afërta me klubin konfirmuan se Mbappé shkoi personalisht pas ndeshjes për të kërkuar falje te Blanco. Sipas tyre, Real Madrid e pranon vendimin e arbitrave, por shprehet i zhgënjyer me standardin e dyfishtë të VAR-it, duke kujtuar një episod të ngjashëm në shkurt, kur mbrojtësi i Espanyolit, Carlos Romero, shmangu një karton të kuq për një faull të rëndë ndaj vetë Mbappé-së.
Sipas rregullores disiplinore të La Liga-s, francezi pritet të përballet me një pezullim prej dy ndeshjesh, me mundësinë e një ndëshkimi maksimal deri në tri ndeshje. Rregullorja përcakton se kur ndërhyrja krijon rrezik, por nuk shkakton lëndim të rëndë, pezullimi varion nga një deri në tri ndeshje.
Ndërkohë, goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga Eduardo Camavinga, vetëm katër minuta përpara përjashtimit të Mbappésë. Edhe Alaves mbeti me 10 lojtarë në minutën e 70-të, pasi mbrojtësi i majtë, Manu Sanchez, u përjashtua për një faull të ngjashëm ndaj Vinicius Junior.
Real Madrid aktualisht mban vendin e dytë në renditje, katër pikë pas Barcelonës, ndërsa të mërkurën pret Arsenalin në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Champions League, ku do të kërkojë të përmbysë humbjen 3-0 të ndeshjes së parë