“Ditë për paqe apo propagandë?/ Putini shpall armëpushim 3-ditor, Ukraina dhe Trump kërkojnë ndalim total të luftimeve

Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim tre-ditor në Ukrainë, që do të hyjë në fuqi më 8 maj dhe do të zgjasë deri më 11 maj, duke përkuar me festimet e Fitores së Rusisë në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas Kremlinit, vendimi është marrë “bazuar në konsiderata humanitare”, duke shtuar se “pala ukrainase duhet ta ndjekë këtë shembull”, ndërsa paralajmëroi se në rast shkeljesh, Forcat e Armatosura të Rusisë do të reagojnë në mënyrë “adekuate dhe efektive”.
Në një reagim të menjëhershëm, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se vendi i tij mbështet një armëpushim më të gjatë dhe më të qëndrueshëm, duke bërë thirrje për ndalimin e luftimeve “që tani dhe për të paktën 30 ditë”.
“Pse të presim deri më 8 maj? Nëse zjarri mund të ndalet tani, atëherë është i vërtetë, jo vetëm për një paradë”, shkroi ai në platformën X.
Armëpushimi i shpallur është përpjekja më e fundit në një sërë iniciativash që kanë dështuar në të kaluarën. Që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, janë tentuar mbi 20 armëpushime, por të gjitha janë shkelur brenda pak ditësh, disa edhe brenda minutash.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Donald Trump dëshiron një armëpushim të përhershëm. Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, tha se Trump është “gjithnjë e më i frustruar me të dyja palët” dhe po kërkon rezultate të prekshme nga përpjekjet diplomatike.
“Presidenti e ka bërë të qartë se dëshiron ndalimin e vrasjeve, ndalimin e gjakderdhjes. Ai nuk është i kënaqur me gjeste të përkohshme,” tha Leavitt.
Analistët ndërkombëtarë besojnë se shpallja e armëpushimit vjen si përpjekje e Putinit për të fituar kredibilitet diplomatik në një moment kritik për bisedimet e paqes, ku Shtetet e Bashkuara po veprojnë si ndërmjetëse, por kanë paralajmëruar tërheqje nëse nuk ka përparim real.