Mes spekulimeve të pandalshme mbi të ardhmen e Carlo Ancelottit këtë verë dhe pozicionin e tij te Real Madrid, ai pritet të humbasë bashkëpunëtorin e tij më të besuar në klub.

Zëvendëstrajneri dhe, më e rëndësishmja, djali i tij, Davide Ancelotti, raportohet se do të largohet në fund të sezonit.

Ancelotti Junior ka qenë pjesë e stafit teknik të Carlo Ancelottit, fillimisht si trajner fitnesi, që nga koha kur u bashkua me Paris Saint-Germain në 2012, por me kalimin e viteve ka marrë role gjithnjë e më të rëndësishme nën drejtimin e të atit, duke e ndjekur nga klubi në klub.

Pas rikthimit në “Santiago Bernabéu” në vitin 2021 së bashku me Carlo Ancelottin, Davide Ancelotti u emërua zëvendëstrajner i tij.

Megjithatë, sipas “The Athletic”, Davide Ancelotti synon të largohet në fund të sezonit.

35-vjeçari thuhet se dëshiron të nisë karrierën e tij si trajner kryesor dhe ky mund të jetë momenti i duhur për ta bërë këtë.

Ndër arsyet kryesore pse Carlo Ancelotti është më i hapur ndaj idesë së largimit nga Los Blancos sesa më parë, është edhe largimi i mundshëm i të birit.

Sigurisht, Davide Ancelotti ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar, por nëse e bën, ka shumë mundësi në dispozicion.

Më parë, ai është lidhur me stolin e Evertonit, një klub ku ka punuar më parë bashkë me të atin. Për më tepër, raportimet që nga tetori kanë sugjeruar se ai synon të largohet, duke marrë me vete edhe Francesco Maurin, një tjetër anëtar të stafit të Real Madridit, si ndihmësin e tij.

Davide Ancelotti është shumë i vlerësuar në Valdebebas dhe është ai që drejton një pjesë të madhe të stërvitjeve, duke u fokusuar në aspektin taktik të ekipit.

Ai gjithashtu është përgjegjës për skemat e goditjeve standarde dhe shpesh shihet duke marrë një rol aktiv në vijën anësore, duke diskutuar si me të atin ashtu edhe me lojtarët gjatë ndeshjeve.