Të burgosurit palestinezë që u liruan nga burgjet izraelite i kanë treguar BBC-së se ata ishin viktimë e keqtrajtimit dhe torturës nga duart e ushtrisë izraelite dhe stafit të burgut. Pesë prej tyre, tashmë të liruar, përshkruan të njëjtin model të operimit – së pari janë arrestuar në Gazë, së dyti janë dërguar në Izrael për t’u ndaluar paraprakisht në kazermat ushtarake dhe së fundmi janë transferuar në burg. “Ata përdorën një freskues ajri me çakmak për të ma ndezur shpinën. Unë u përplasa si një kafshë në përpjekje për ta shuar zjarrin. Ai u përhap nga qafa deri te këmbët e mia. Më pastaj ata më goditën vazhdimisht me fundin e pushkëve të tyre dhe kishin shkopinj me vete, të cilët i përdornin gjithashtu për të më goditur”, ka thënë Mohammad Abu Tawileh, 36-vjeçar.
BBC-ja ka realizuar intervista me 5 palestinezë të liruar, që të gjithë ishin arrestuar në Gazë gjatë muajve të parë pas sulmit të Hamasit dhe grupeve të tjera në Izrael, që la të vdekur 1.200 njerëz dhe mori peng 251 të tjerë.
Palestinezët u futën në burgje sipas Ligjit të Izraelit për Luftëtarët e Paligjshëm, që si e tillë ua lejon autoriteteve të arrestojnë persona që dyshohen se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, duke i burgosur ata për një kohë të pacaktuar, pa ndonjë akuzë bindëse.
Personat e intervistuar kanë thënë se ata ishin akuzuar për lidhje me Hamasin dhe ishin marrë në pyetje rreth lokacionit të pengjeve dhe tuneleve, mirëpo përfundimisht nuk ishte gjetur asnjë lidhje e tyre me sulmet e 7 tetorit të vitit 2023 – një parakusht që Izraeli e ka vendosur për këdo nga të burgosurit palestinezë që lirohet në kuadër të marrëveshjes tanimë të skaduar të armëpushimit.
Ata që u liruan si rezultat i marrëveshjes ishin duke vuajtur dënime për krime të tjera serioze, përfshirë vrasjen e izraelitëve, por kjo nuk ishte çështja te intervistat që i ka realizuar BBC.
Mediumi britanik gjithashtu ka kontaktuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe Shërbimin e Burgut të Izraelit (IPS), nëse ka pasur ndonjë akuzë kundër burrave, mirëpo ata kanë refuzuar të përgjigjen.
Sipas dëshmisë së të intervistuarve:
• Ata të gjithë përshkruajnë se ishin të zhveshur, me sy të lidhur, dhe ishin rrahur.
• Disa gjithashtu thonë se ishin goditur me shok elektrik, kërcënuar nga qentë, dhe iu ishte ndaluar qasja në shërbime shëndetësore
• Disa thonë se kanë qenë dëshmitarë të vdekjes së të burgosurve të tjerë
• Njëri prej tyre thotë se ka qenë dëshmitar i abuzimit seksual
• Tjetri thotë se i është zhytur koka në kimikate dhe i është vënë zjarr në shpinë.
BBC-ja ka parë raportin e një avokati që ka vizituar dy prej burrave në burg, si dhe ka folur me disa anëtarë të stafit mjekësor që kanë trajtuar disa prej tyre pas lirimit.
Mediumi britanik ia ka dërguar një letër të gjatë IDF-së, që si e tillë paraqiti në detaje akuzat e burrave dhe identitetet e tyre.
Në reagim IDF-ja nuk iu përgjigj asnjërës prej akuzave specifike, porse ka thënë se “i refuzon plotësisht akuzat për abuzim sistematik të të burgosurve”.
Ushtria izraelite ka njoftuar se disa nga rastet e ngritura nga BBC-ja do të “rishikohen nga autoritetet përkatëse”, tek ka shtuar se “janë paraqitur detaje të pamjaftueshme, pa asnjë informacion rreth identitetit të të burgosurve, duke e bërë të pamundur hetimin e tyre”.
Në kuadër të deklaratës thuhet se “IDF-ja e merr shumë seriozisht çdo veprim që kundërshton vlerat e tij… Ankesat specifike për sjellje të papërshtatshme nga stafi i ndalimit ose kushtet e pamjaftueshme u dërgohen për shqyrtim autoriteteve relevante dhe trajtohen përkatësisht. Në raste të përshtatshme ndërmerren masa disiplinore ndaj anëtarëve të stafit dhe hapen hetime kriminale”.
Shërbimi i burgut të Izraelit (IPS) ka deklaruar se nuk kishte dijeni për asnjë nga pretendimet e abuzimit të përshkruara në hulumtimin e BBC-së, sa u përket burgjeve të saj.
“Me aq sa dimë, nuk ka ndodhur diçka e tillë nën përgjegjësinë tonë”, thuhet në reagimin e IPS-së.
Lawrence Hill-Cawthorne, bashkëdrejtor i Qendrës për Drejtësinë Ndërkombëtare në Universitetin e Bristolit, ka bërë të ditur se trajtimi që burrat palestinezë përshkruanin ishte “plotësisht i papajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e Izraelit”, dhe se ka arritur “nivelin e torturës”.
“Ligji i konfliktit të armatosur kërkon që të trajtoni të gjithë të burgosurit në mënyrë njerëzore”, ka thënë ai.
“Detyrimet lidhur me nevojat themelore të të burgosurve nuk preken nga asnjë keqbërje e pretenduar”, ka shtuar Cawthorne.
Pesë palestinezët e intervistuar u liruan më herët këtë vit në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin – grupit që organizoi dhe kreu sulmet e 7 tetorit 2023 kundër Izraelit.
Ata ishin pjesë e 1.900 të burgosurve palestinezë që u shkëmbyen për 33 pengje izraelite, tetë të vdekur dhe 25 të gjallë – disa prej të cilëve kanë përshkruar se janë abuzuar dhe kërcënuar nga kapësit e tyre të Hamasit.
Gratë që janë liruar më parë kanë treguar për sulme fizike dhe seksuale gjatë robërisë nga Hamasi.
Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se testet forenzike tregojnë se disa nga pengjet e vdekura që u kthyen gjatë periudhës së armëpushimit, përfshirë fëmijë, u vranë nga Hamasi, porse grupi militant e mohon këtë.
Pesë të burgosurit palestinezë përshkruan modelin e njëjtë të operimit – së pari janë arrestuar në Gazë, së dyti janë dërguar në Izrael për t’u ndaluar fillimisht në kazermat ushtarake dhe më pastaj janë transferuar në burg, dhe përfundimisht u liruan dhe u kthyen në Gazë disa muaj më vonë.
Ata thanë se ishin keqtrajtuar në çdo fazë të këtij procesi.
Disa të burgosur të tjerë, me të cilët BBC-ja ka biseduar shkurtimisht gjersa ata arritën në shtëpitë e tyre në Gazë, po ashtu treguan për rrahje, kequshqyerje dhe sëmundje.
Këto, nga ana tjetër, përputhen me dëshmitë e dhëna nga persona të tjerë për grupin e të drejtave të njeriut “B’Tselem” të Izraelit dhe Kombet e Bashkuara, të cilat në korrik përpiluan raporte nga dëshmitë e të burgosurve që u patën liruar. E sa i përket dëshmive, ata kanë theksuar se ishin zhveshur lakuriq, ishin privuar nga ushqimi, gjumi dhe uji, iu kishin nënshtruar shokut elektrik si dhe ishin djegur me cigare ndër të tjera.
Një raport tjetër i përpiluar prej ekspertëve të OKB-së muajin e kaluar dokumentoi raste të përdhunimeve dhe sulmeve seksuale, duke thënë gjithashtu se përdorimi i kërcënimeve të tilla ishte “procedurë standarde operative” për Forcat e Mbrojtjes së Izraelit. Autoritetet izraelite u përgjigjën duke mohuar “kategorikisht akuzat e pabazuara”.
Duke qenë se Izraeli aktualisht nuk i lejon gazetarët ndërkombëtarë të kenë qasje të lirë në Gazë, BBC-ja i ka zhvilluar intervistat përmes telefonatave dhe mesazheve, dhe gjithashtu punëtorëve të pavarur të kontraktuar në territorin e enklavës palestineze.
Të pesë burrat kanë thënë se abuzimi i tyre kishte filluar në momentin e arrestimit – teksa ata ishin zhveshur dhe ishin rrahur nga autoritetet.
Mohammad Abu Tawileh, me profesion mekanik, ka thënë se ishte torturuar për ditë të tëra.
Ai u kap nga ushtarët dhe u çua në një ndërtesë që nuk ishte larg vendit të arrestimit të tij në mars të vitit 2024, dhe u mbajt në një dhomë – i vetmi i ndaluar aty – për tri ditë ndërsa ushtarët e morën në pyetje.
Sipas Tawileh, ushtarët përzienin kimikatet e përdorura për pastrim në një tenxhere, dhe zhytën kokën e tij në to. Më pastaj, hetuesit e goditën me grusht, dhe ai ra në dysheme, duke e lënduar syrin. Ai ka shtuar se ata më pas ia mbuluan syrin me një leckë e cila, në vetë fjalët e tij, “ia përkeqësoi lëndimin”.
“Ata përdorën një freskues ajri me çakmak për të më ndezur shpinën. Unë u përplasa si një kafshë në përpjekje për ta shuar zjarrin. Ai u përhap nga qafa deri te këmbët e mia. Më pas ata më goditën vazhdimisht me fundin e pushkëve të tyre dhe kishin shkopinj me vete, të cilët i përdornin gjithashtu për të më goditur”, ka thënë Tawileh.
Ata pastaj “vazhduan të derdhnin acid mbi mua. Unë kalova rreth një ditë e gjysmë duke u larë me [të]. Acidin ma derdhën në kokë dhe më pikoi në trup derisa isha ulur në karrige”, ka shtuar ai për BBC-në.
Në fund, siç thekson ai, ushtarët derdhën ujë në trupin e tij dhe e çuan atë në Izrael, ku ai mori trajtim mjekësor në spital, përfshirë disa transplantime të lëkurës.
Shumica e trajtimit të tij u zhvillua në spitalin fushor në kazermat Sde Teiman, një bazë e IDF-së pranë Beersheba në Izraelin jugor. Ai ka thënë se ishte lidhur i zhveshur për një shtrat dhe i ishte dhënë një pelenë për nevojat fiziologjike. Mjekët izraelitë në këtë spital i kanë thënë më herët BBC-së se prangosja e pacientëve dhe detyrimi i tyre për të mbajtur pelena është procedurë rutinore.
BBC-ja nuk ka arritur të flasë me askënd që ishte dëshmitar i sulmit ndaj Abu Tawileh, por një mjek specialist i syrit, që e trajtoi atë në kthimin e tij në Gazë, konfirmoi se ai kishte pësuar djegie kimike në sy, e cila kishte dëmtuar lëkurën rreth tij. Ai gjithashtu ka thënë se shikimi i Abu Tawileh po dobësohej, për shkak të kimikateve apo traumave të tjera.
BBC-ja i dha detaje për këtë rast IDF-it, duke i dhënë asaj pesë ditë për ta hetuar. IDF-i nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pretendimeve të Abu Tawileh, por ka bërë të ditur se do të ndërmarrë çdo veprim “që bie në kundërshtim me vlerat e tij”.
IDF-i ka deklaruar se do të “ekzaminonte” disa nga rastet, por nuk iu përgjigj pyetjeve vijuese nëse hetimet do të përfshijnë rastin e Abu Tawileh.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), i cili ka zhvilluar intervista me të burgosurit që janë liruar, ka deklaruar se nuk mund të komentojë për gjendjen e individëve për shkak të shqetësimeve rreth privatësisë.
“ICRC-ja mbetet thellësisht e shqetësuar për mirëqenien e të burgosurve dhe thekson nevojën urgjente për të rinisur vizitat në të gjitha vendet e ndalimit. Ne vazhdojmë të kërkojmë qasje nëpërmjet dialogut konfidencial me palët”, ka deklaruar Kryqi i Kuq.
59 pengje janë ende në Gazë, ndërsa 24 prej të tyre besohet të jenë të gjallë. ICRC-ja nuk ka pasur asnjëherë qasje tek ata gjatë 18 muajve në robëri dhe familjarët e tyre kanë shprehur shqetësime të thella për mirëqenien e tyre.
Për shumë nga të burgosurit palestinezë që u liruan, kthimi në Gazë ishte njëkohësisht moment gëzimi dhe dëshpërimi.
Abu Tawileh ka bërë të ditur se familjarët ishin të tronditur nga gjendja e tij kur u lirua dhe shtoi se ai ishte ende i prekur nga përvoja e tmerrshme.
“Unë nuk mund të bëj asgjë për shkak të lëndimit tim, sepse syri më dhemb, më loton dhe më kruhet, dhe të gjitha djegiet në trup më kruhen gjithashtu. Kjo po më shqetëson shumë”, ka thënë ai.