Intervista e mbrëmshme e ministrit të Shëndetësisë, njëherit dhe njërit nga liderët e VLEN-it, Arben Taravarit dhënë për emisionin “360 gradë”, nxiti reagimin e mënjëhershëm të partnerëve të koalicionit.

Taravari tha se qytetarët mendojnë se VLEN ka pozicion shumë të dobët në Qeveri, ndaj dhe funksionimi është i ngadalshëm dhe pa sinkronizim.

Ai ndër të tjera përmendi se ka kanale komunikimi me BDI-në e Ali Ahmetit, mirëpo sipas tij, këtë komunikim e kanë dhe partitë e tjera në VLEN.

I menjehershëm ishte reagimi nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit.

LD-ja mohoi të ketë kontakte me BDI-në, duke e demantuar deklaratën e Taravarit

Lëvizja Demokratike (LD) hedh poshtë çdo spekulim se ka komunikim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

LD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin.

Lëvizja Demokratike distancohet qartë dhe pa ekuivoke nga çdo strukturë politike që e ka shndërruar korrupsionin në mënyrë qeverisjeje dhe shtetin në mjet për pasurim personal.

LD mbetet e palëkundur në vizionin e saj për një politikë të pastër, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarëve.

Se nuk kanë kanale komunikimi me BDI-në, thanë edhe nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit.

Pa dashur ta paragjykojmë kuptimin e saktë të deklaratës së z. Taravari se – përveç atij – edhe liderët e tjerë të VLEN-it kanë komunikim me Ali Ahmetin, për shkak të korrektësisë me anëtarësinë e Lëvizjes BESA, të organeve partiake dhe mbështetësve tanë, më duhet të sqarojmë se as kryetari Bilall Kasami dhe asnjë eksponent tjetër i Lëvizjes BESA nuk ka komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Qytetarët dhe mbështetësit e Lëvizjes BESA e dijnë mirë, se që nga themelimi dhe deri më tani, asnjëherë nuk kemi qenë në komunikim me BDI-në, kur ajo është dashur të shpëtohet nga bëmat e saj, e as këtë herë nuk ka asnjë arsye për të pasur madje edhe kanal komunikimi me të. Nëse do të kishte, do të ishte i hapur dhe para qytetatëve.

Ali Ahmeti është fajtori i përveçëm i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sa më shpejt që pensionohet politikisht, aq më mirë për të dhe për shqiptarët.

Ndërsa VLEN-i ka kuptim vetëm aq sa e ruan distancën politike me BDI-në.

Edhe nga Alternativa e Zeqirija Ibrahimit thanë se nuk kanë kontakte me BDI-në.

Me qëllim të sqarimit për opinionin, por edhe për të qenë korrekt me organet e strukturat partiake, si edhe me anëtarësinë dhe mbështetësit, deklarojmë publikisht se AlternAtivA nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj.

Përtej kësaj, AlternAtivA gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave nongrata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin.

Duke mbetur konsistentë në qëndrimin se VLEN-i është koalicion i ndërtuar për afirmimin e vlerave të moralit të ri politik dhe për vendosjen e standardeve të reja politike, AlternAtivA vlerëson se adresa e mbrojtjes së interesave shqiptare është duke komunikuar me popullin dhe duke i mbrojtur interesat e tyre në mënyrë të përpiktë dhe dinjitoze.

Ndryshe sot Taravari para mediave tha se nuk e kanë në plan të largohen nga Qeveria edhe pas qëndrimeve aktuale për koalicionin VLEN.

Ai shtoi se VLEN me një kryetar është mision i pamundur.

Për më tepër sot press konferencë lajmëroi dhe kreu i LD-së, Izet Mexhiti, mirëpo i njejti e anuloi parqitjen para gazetarëve në moment të fundit. /tvklan.mk