E ardhmja e ekosistemit digjital financiar në rajon/ Grupi BALFIN ndan qasjen inovative në konferencën më të madhe të FinTech

Grupi BALFIN dhe disa nga kompanitë e tij, përfshirë Neptun, Tirana Bank dhe Happy, morën pjesë në një prej konferencave më të rëndësishme fintech në rajon, “Money Motion”, e cila u mbajt në Zagreb, Kroaci.
Kjo konferencë mblodhi mbi 2,000 pjesëmarrës nga gjigandët e industrisë fintech dhe ofroi një platformë për diskutime mbi zhvillimet dhe inovacionet që po shënojnë të ardhmen e sektorit.
Pjesëmarrësit nga Grupi BALFIN, duke përfshirë përfaqësues të departamenteve të Transformimit Digjital dhe IT, Drejtoreshën Ekzekutive të Happy, Daniela Malaj, dhe Drejtorin Ekzekutiv të Neptun, Alexandros Kosenas, kontribuan me eksperiencën dhe njohuritë e tyre për sfidat dhe mundësitë që krijon ekosistemi digjital financiar.
Kryefjala e konferencës ishte pikërisht ekosistemi digjital financiar dhe zgjidhjet e reja që po formësojnë të ardhmen e industrisë fintech.
Përfaqësuesit e Grupit BALFIN ndanë eksperiencat e tyre në fushat ku grupi është i pranishëm, duke ofruar shembuj konkretë të mënyrës sesi idetë origjinale, kultura profesionale dhe zgjidhjet inovative shtyjnë përpara kufijtë e inovacionit.
Në panelin e diskutimit me temë “Shitësit me pakicë si pionerë digjitalë: mit apo realitet?”, Drejtori Ekzekutiv i Neptun, Alexandros Kosenas, u ndal në transformimin digjital në pikat e shitjes, si dhe në ndikimin që ka në operacionet e shitjes. Ndërsa u mbështet mbi aktivitetin dhe sfidat me të cilat përballet Neptun si kompania lider e pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake në rajon, Kosenas pohoi se kompanitë takohen me inovacionin vetëm kur ekziston një lidhje e vërtetë me konsumatorët, me dëshirat dhe nevojat e tyre.
Përfaqësuesit e Grupit BALFIN treguan mbi qasjen e grupit karshi teknologjisë dhe risive digjitale duke patur gjithnjë në qendër konsumatorin, investimin në zhvillimin e forcës punëtore dhe kalimin në një shkallë më të lartë të kulturës inovative brenda të gjitha kompanive të grupit.
Për më shumë se 30 vite, Grupi BALFIN ka reputacionin e një prej grupeve më aktive dhe inovatore, me investime që shtrihen në 11 shtete dhe 2 kontinente, si: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Kroaci, Zvicër, Holandë, Austri, SHBA dhe Kanada.