Aktualisht po zhvillohen intensivisht aktivitete ndërtimore në vetë bregun e Liqenit të Ohrit, në lokalitetin e njohur si Goricë 3, ndërsa investitor është ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, përmes kompanisë së tij “Develop Group”.
Historia e këtij hoteli luksoz është e mbushur me kontestime, ndërsa për ndërtimin e tij u shkatërrua dhe u dogj një pyll 70-vjeçar, për zjarrin e të cilit fajtorët nuk janë gjetur asnjëherë, thonë nga partia E Majta (Levica).

– Është skandaloze që ky hotel po ndërtohet në një zonë kritike, për të cilën edhe në Planin për Menaxhimin e Rajonit të Ohrit është theksuar se duhet të ndalohet çdo lloj urbanizimi derisa të miratohen të gjitha dokumentet planifikuese për mbrojtjen e pasurive natyrore, të cilat janë vazhdimisht nën sulm nga lidhjet mafioze të urbanizmit dhe pushtetit.

Sipas informacioneve që kanë mbërritur te Levica, për këtë hotel nuk është përgatitur kurrë një Vendim mbi elaboratin për ndikim në mjedis – dokument pa të cilin nuk mund të lëshohet leje ndërtimi.
Por për hotelin luksoz të Mijallkovëve, hesht kryetari i komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, i cili gjatë gjithë mandatit të tij ka punuar vetëm për interesat e disa biznesmenëve të fuqishëm lokalë në ndërtimtari.
Hesht Inspektorati i Mjedisit, hesht Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa çdo ditë kryeministri Mickoski premton që do të ketë përgjegjësi për të gjithë.

Publikisht i bëjmë pyetje Kryeministrit nëse do të ketë përgjegjësi edhe për ish-bashkëpartiakun e tij, Sasho Mijallkov, i cili pasuroi veten gjatë qeverisjes së VMRO-së dhe më vonë u amnistua nën mbrojtjen e LSDM-së?!
Bëhet fjalë për një shkelje flagrante të ligjit, ku Mijallkov është bërë pronar i 15.000 metrave katrorë tokë shtetërore në njërën nga zonat më atraktive të Ohrit, ndërsa plani urbanistik skandaloz nuk është rishikuar fare në lidhje me përputhshmërinë e tij me Planin e Menaxhimit për Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit.

Kryetari Pecakov, duket se për të kënaqur interesat e ish-funksionarëve të VMRO-së, nuk e ka përmbushur detyrimin e tij ligjor për të ndryshuar planin urbanistik për Goricë 3, duke lejuar kështu vazhdimin e paligjshmërisë që po degradon bregun e Ohrit.
Në vend të frazave boshe të pushtetit se “edhe vëllai do të përgjigjet”, Levica bën apel që të fillojnë pikërisht nga ish-funksionari i tyre i lartë, i cili dukshëm është amnistuar nga interesat e përbashkëta të VMRO-së dhe LSDM-së, thuhet në njoftimin e Levicës.