Krijuesi i “Tesla”, “SpaceX” dhe “Neuralink”, Elon Musk, deklaroi se robotët do të tejkalojnë së shpejti edhe kirurgët më të mirë njerëzorë. Musk komentoi për këtë çështje në rrjetin social X, duke iu përgjigjur një postimi nga Mario Navfal, themelues i IBC Group, një firmë investimi që mbështet projekte në blockchain dhe teknologji të reja.

“Robotët do të tejkalojnë kirurgët më të mirë brenda rreth pesë viteve,” tha Musk, duke theksuar shpejtimin e progresit në teknologjitë robotike në mjekësi.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e robotikës në punën e kompanisë së tij “Neuralink”, e cila po zhvillon teknologji për lidhjen e trurit njerëzor me kompjuterët. “Neuralink duhej të përdorte një robot për të vendosur elektrodat, sepse ishte e pamundur që njeriu të arrinte shpejtësinë dhe saktësinë e nevojshme,” tha miliarderi.

Mario Navfal, një sipërmarrës në fushën e kriptomonedhave dhe teknologjisë, komentoi rezultatet e fundit nga testimi i sistemit robotik Hugo, zhvilluar nga kompania mjekësore Medtronic. Testet u realizuan në 137 operacione reale, duke përfshirë procedura për prostatën, veshkat dhe fshikëzën e urinës, dhe rezultatet ishin mbresëlënëse.

“Rezultatet ishin më të mira se ato të mjekëve,” theksoi Navfal, duke cituar një raport të publikuar nga RTTNews.

Roboti i “Medtronic” arriti rezultate kirurgjikale jashtëzakonisht të larta: normat e komplikimeve ishin minimale – vetëm 3.7% për operacionet e prostatës, 1.9% për operacionet e veshkave dhe 17.9% për operacionet e fshikëzës së urinës. Të gjitha këto norma ishin më të mira se objektivat e sigurisë të vendosura pas viteve të hulumtimit.

“Roboti arriti një normë suksesi prej 98.5%, e cila është shumë më e lartë se objektivi prej 85%. Kjo do të thotë që jo vetëm që kaloi testin, por vendosi një standard të ri,” tha Navfal.

Pavarësisht rezultateve mbresëlënëse, Navfal theksoi se robotët nuk do t’i zëvendësojnë menjëherë kirurgët, por është shumë e mundur që e ardhmja e grupeve mjekësore të përfshijë robotët si “ndihmës shumë të shtrenjtë metalikë”.

“Prej 137 operacioneve, vetëm dy raste kërkuan zgjidhje kirurgjikale tradicionale – njëri për shkak të defektit të robotit dhe tjetri për shkak të komplikimeve specifike të pacientit,” përfundoi Navfal, duke pyetur se si do të ndikojnë teknologjitë robotike në industrinë mjekësore në vitet në vijim.