Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, po qëndron për vizitë në Bruksel, ku po merr pjesë në konferencën “Fillimi i programit Willy Brandt S&D për zgjerimin e BE-së”, që u mbajt në Bruksel, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Filipçe për AIM-në tha se integrimet evropiane aktualisht janë plotësisht të ngecura për Maqedoninë dhe kjo është rezultat i mosinteresimit të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

“Fatkeqësisht, ndjesia kur ulemi në takime të tilla është një zhgënjim i madh. Shohim sesi vendet përreth thonë dhe shpjegojnë se si po përparojnë, shohim se çfarë po bën Shqipëria, me të cilën deri pak muaj më parë po ecnim paralelisht në rrugën evropiane. Tani ata kanë një plan konkret për të përfunduar negociatat deri në Krishtlindje 2027 dhe për t’u bërë një vend anëtar i BE-së deri në 2030. E shihni se sa intensive është puna përpara”, tha Filipçe

Sipas tij, Qeveria nuk ka as ide e as vullnet për të bërë një hap konkret përpara.

“Fatkeqësisht, tani nuk mund të mburremi me asgjë, kemi ngelur në vend. Kjo qeveri nuk ka as ide dhe as dëshirë për të bërë një hap përpara në integrimet evropiane. Është e qartë se çfarë duhet bërë, duhet të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare, por askush nuk u beson më fjalëve të ëmbla të përfaqësuesve të qeverisë. Është e qartë për të gjithë se Maqedonia nuk mund të ecë përpara me këtë Qeveri, nuk ka dëshirë, nuk ka ide, nuk ka plan”, theksoi Filipçe.

Filipçe paralajmëroi se koha nuk po funksionon në favor të Maqedonisë dhe se çdo ditë ngecje prapa rajonit e ndërlikon të ardhmen.