I nderuar zv.ambasador I Mbertërisë së Bashkuar, z. Daniel Filer
I nderuar drejtor i Forumit për Politika të arsyeshme, z. Gordan Georgiev
Të nderuar deputetë, të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë dhe ndjehem i privilegjuar, që sot jam pjesë e kësaj ngjarje solemne, e
cila shënon një arritje të rëndësishme jo vetëm për deputetët dhe partitë ku ata bëjnë pjesë,
por më së shumti për Kuvendin dhe qytetarët që përfaqësojnë.
Të qenit deputet është nder i madh, por dhe një barrë e rëndë përgjegjësie. Mandati i
dhënë me besim nga qytetarët, kërkon njohuri, durim, integritet dhe aftësi për të dëgjuar
edhe atë që mendon ndryshe. Prandaj kur një deputet zgjedh të zhvilloj kapacitetin e tij
intelektual dhe politik, për të ngritur cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve, kjo për mua
paraqet një akt fisnik dhe vizionar.
Në këtë kontekst, Akademia për Deputetë, vlerësoj se nuk është vetëm një program i
ndërtimit dhe zhvilimit të kapacitetit të deputetëve, por në thelb përbën një investim
stretegjik në parlamentarizëm: në cilësinë, funksionalitetin dhe përmirësimin e kulturës
politike të Kuvendit.
E në një kohë kur fjalori politik shpesh helmohet nga retorika përçarëse, ofenduese dhe
polarizuese, përfshirja e deputetëve në këtë akademi është një rreze shprese. Ajo na kujton
se është e mundur dhe e domosdoshme të ndërtojmë një skenë të re politike: me politikanë
më të urtë dhe më njerëzor, që respektojnë debatin, procedurat dhe njëri-tjetrin. Besoj

fuqishëm që kjo është gjithçka që i duhet sot politikës: një frymë e re, që vë theksin te ideja
dhe jo te ngjyra partiake; te dialogu dhe jo konfrontimi; te zgjidhja dhe jo bllokada.
Përmes kësaj akademie është mundësuar një terren i përbashkët ku mund të kultivohet
bashkëpunimi, të forcohet komunikimi dhe të prodhohen rezultate konkrete për të mirën e
përbashkët, pavarësisht dallimeve ideologjike.
Si Kryetar i Kuvendit, vlerësoj se ky institucion ka për detyrim moral e demokratik nxitjen e
bashkëpunimit, respektit, tolerancës dhe përfaqësimin e dinjitetshëm. Këtë nuk e them
rastësisht, por ndaj bindje se pa një dialog të ndershëm dhe bashkëpunim përtej vijave të
ndarjes, çdo reformë mbetet sipërfaqësore dhe çdo ligj, i pamjaftueshëm. Në këtë drejtim,
projektet si kjo Akademi, janë gur themeli i vizionit për të ndërtuar një Kuvend që i shërben
qytetarëve me profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Për këtë arsye, dua të shpreh mirënjohje të veçantë për Qeverinë e Mbretërisë së
Bashkuar për mbështetjen e këtij programi, si dhe të falënderoj Forumin për Politika të
Arsyeshme, të cilët me përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe kreativ, kanë ndërtuar një
program që ofron njohuri, zhvillim, bashkëpunim dhe shumë konstruktivitet. Kjo është
arsyeja pse ky projekt gëzon respektin tim personal dhe meriton vlerësimin më të lartë
institucional.

Të nderuar deputetë,
Së fundi dua të ju përgëzoj juve për përkushtimin që keni treguar. Uroj që përvoja në këtë
akademi të reflektohet në punën tuaj të përditshme, në komisione, në sallën e Kuvendit dhe
në komunikimin me qytetarët. Ruani dhe përforconi frymën konstruktive që e karakterizoi
këtë Akademi, sepse “Në politikë, nuk është pjekuri vetëm të kesh qëndrime – por të dish si
t’i ndash ato pa shkatërruar urat e komunikimit”
Ju faleminderit!