Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin për miratimin e themelimit të Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” në Kondovë

Gjykata Kushtetuese sot e shfuqizoi Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë të Shkupit, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars të vitit 2024.
Gjykata vlerësoi se Vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme – gjimnaz.
“Kjo është në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Arsim të Mesëm, i cili ndalon organizimin dhe aktivitetet fetare dhe shfaqjen e simboleve fetare në shkollat e mesme. Gjithashtu përmbajtja e Vendimit nuk është në përputhje me Amendamentin VII të Kushtetutës, sipas të cilit bashkësitë fetare mund të themelojnë vetëm shkolla fetare në të cilat mësohet edukimi fetar, domethënë predikohet dhe mësohet një religjon konkret”, theksohet në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas gjykatëses – raportuese Ana Pavllovska-Daneva, Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj të miratuar me shumicë votash, këtë herë, si në disa raste të mëparshme me vendimet e saj të miratuara në panele të ndryshme gjyqësore, qëndroi në kufijtë e sekularizmit të shtetit.
“Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të miratuar më 26 mars të vitit 2024, me të cilin u miratua themelimi i Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” me shpjegimin se në përputhje me Amendamentin VII, pika 2 e Kushtetutës, përcaktohet se KOM, BFI, Kisha Katolike, Kisha Ungjillore Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e grupet e tjera religjoioze dhe grupe religjiozr janë të lira të themelojnë shkolla fetare dhe institucione shoqërore dhe bamirëse në një procedurë të parashikuar me ligj. As Kushtetuta dhe asnjë ligj në vend nuk lejon ose nuk parashikon një procedurë për themelimin e një shkolle të mesme private me edukim qytetar nga një bashkësi ose grup religjioz. Prandaj, Gjykata Kushtetuese vendosi që Qeveria në mars të vitit 2024 mori një vendim të paligjshëm dhe jokushtetues dhe e shfuqizoi atë”, thekson në një deklaratë me shkrim Pavllovska-Daneva.
Gjykata i pranoi si të bazuara pretendimet në nismë se, duke miratuar vendimin e kontestuar, Qeveria shkeli dispozitën kushtetuese mbi ndarjen e shtetit nga çështjet fetare.