Rreshteri Muhamed Lika u vra mbrëmjen e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.
Lidhur me rastin, policia ka arrestuar shtatë persona të dyshuar.
Opinionisti, Vehbi Kajtazi ka zbuluar detaje ekskluzive lidhur me ngjarjen tronditëse.
Kajtazi zbuloi se i ndjeri më 2003 kishte arrestuar njërin prej 7 personave që tashmë janë arrestuar lidhur me organizimin dhe vrasjen e tij. Ata ishin të dyshuar për shkak të afisheve të vendosura në Kaçanik, ku bëhej thirrje kundër festimit të Vitit të Ri dhe se ka pasur edhe persona të ndaluar për djegjen e bredhit në Han të Elezit.
“Këto dy ngjarje konsiderohen që janë të lidhura njëra me tjetrën dhe fakti qe është arrestuar nga Lika.. kjo i jep një motiv shtesë vrasjes së tij”, deklaroi Kajtazi.
Ai tutje shtoi se dy ditë para se të vritej, i dyshuari Rejhan Bela ishte ndaluar në një pikë kontrolli të Policisë së Kosovës diku në Kaçanik dhe ka ikur nga duart e policisë, por aty në vendngjarje i ka rënë telefoni, i cili është marr nga policia dhe është dërguar në stacion.
“Pas disa orësh në stacion ka shkuar babai i të dyshuarit dhe e ka kërkuar telefonin, ndërkaq Lika i kishte thënë se atje duhej të shkonte i biri për të dhënë deklaratë dhe pastaj ta merrte telefonin, duke qenë se për Rejhan Belën kishte dhe urdhërarrest nga gjykata për një masë edukative për të mitur, të cilin ai nuk e kishte respektuar”.
“Babai ka treguar të birit për fjalët e Likës, madje i është drejtuar me fjalët ‘ai qeni”, ndërkaq djali i kishte thënë “hajt se e rehatojmë”. Këto informata janë siguruar gjatë hetimeve”, tregoi Kajtazi.