Prokuroria Themelore Publike në Prilep, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Financiare, ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë kontrollesh në tetë lokacione të ndryshme, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime financiare në Spitalin e Përgjithshëm të Prilepit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një procedurë parahetimore, e cila ka nisur për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, e lidhur me menaxhimin financiar të institucionit shëndetësor.

“Janë siguruar urdhra për kontroll në tetë lokacione, ndërsa veprimet në terren po realizohen nga Drejtoria për Policinë Financiare”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Autoritetet theksojnë se pas përfundimit të kontrolleve, procedura do të vazhdojë me mbledhjen e provave të tjera, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të përgjegjësve.

Më shumë detaje rreth hetimit pritet të bëhen të ditura në vijim.