Duket sikur po përsëritet e njëjta histori. Stadiumi “Dal ’Ara” i Bolonjës ishte sërish skena e ngjarjeje të tmerrshme për Interin, ashtu si në 2022.

Kampionët e Italisë pësuan një gol të shkëlqyer në sekondat përmbyllëse, duke vënë në diskutim gjithçka në garën për titull me Napolin.

Pikërisht në prill të tre viteve më parë, zikaltërit u mundën 2-1 në fushën e Bolonjës dhe në përfundim të sezonit “skudeton” e fitoi rivali I tyre më I madh, Milani.

Mos ndoshta do të ndodhë sërish kështu?

Mundet, pasi vërtet Interi ka më shumë potencial e stol, por napolitanët e Kontes kanë gati gjysmën e ndeshjeve për të luajtur.

Gjithsesi, problemi nuk e ka emrin vetëm “Bolonja”.

“La Gazeta delo Sport” analizon sezonin në Serinë A dhe zbulon se të besuarit e trajnerit Simone Inzagi kanë pësuar 11 nga 32 golat pas minutës së 76-të, pra më shumë se një të tretën.

Nëse llogarisim gjysmë orën e fundit të ndeshjeve, atëherë kampionia e Italisë ka pësuar më shumë se gjysmën e golave, 17 ndër 32.

Nuk harrohen ndeshje të tilla si barazimi në fund në fushën e rivalit Napoli, barazimi 4-4 në “San Siro” kundër Juventusit, apo barazimi 2-2 në stadiumin “Luixhi Ferraris” të Gjenovës, ndaj Xhenoas në javën e parë të Serisë A.

Besohet se Interi ndjen lodhje mendore në fund edhe për shkak të kalendarit, por ndoshta edhe sepse Inzagi bën shumë pak rotacion.

E gjitha kjo, po rrezikon sezonin.