Ish-kreu i Shërbimit Sekret Britanik MI6 ka sugjeruar se Britania mund të ketë nevojë të prezantojë një formë rekrutimi përballë kërcënimeve të reja ndërkombëtare.

Sir Alex Younger tha se qeveria mund të detyrojë britanikët që të “japin shërbimin e tyre në një formë apo një tjetër”.

Ish-agjenti sugjeroi një formë të re angazhimi që nuk do të arrijë deri në shërbim të plotë ushtarak për të gjithë.

“Në raste ekstreme, mendoj se do të shikonim diçka të ngjashme me modelin që, sa di unë, ekziston në vende si Suedia, ku qeveria teorikisht ka fuqinë për të detyruar njerëzit të japin shërbimin e tyre në një formë apo tjetër, por kjo fuqi ushtrohet vetëm kur është me të vërtetë e nevojshme”, tha ai për podkastin ‘Today’ të BBC-së.

Sir Alex theksoi se nuk po propozonte “rekrutim të përgjithshëm”, por ishte i interesuar për “mënyra në të cilat vendi në tërësi do të merrte pjesë dhe do të kontribuonte në siguri në rast emergjence”.

Suedia riktheu një formë të rekrutimit për personat mbi 18 vjeç në vitin 2017, si përgjigje ndaj pushtimit të Krimesë nga Rusia.

Në një zhvillim tjetër, familjeve në Britani u është kërkuar të përgatisin një “komplet mbijetese” për 72 orë në rast se sulmet ruse ndaj tubacioneve të energjisë shkaktojnë ndërprerje të energjisë në vend.

Burime të sigurisë i thanë Mail on Sunday se çdo familje duhet të jetë “gati për çdo eventualitet”, për t’u përgatitur ndaj sabotimeve të mundshme të infrastrukturës britanike nga Vladimir Putin.

Çdo komplet urgjence duhet të përfshijë mjaftueshëm ujë të ambalazhuar dhe ushqime të thata për çdo anëtar të familjes për tre ditë. Gjithashtu duhet të ketë medikamente, një radio dhe elektrik me bateri, dokumente identifikimi dhe një thikë zvicerane shumëfunksionale.

Ky paralajmërim vjen në vazhdën e shqetësimeve në rritje për aktivitetet ruse në Detin e Veriut, pranë lidhjeve jetike të energjisë me Europën kontinentale.

Një nga anijet spiune të Putinit, Yantar, është zbuluar kohët e fundit duke hartuar infrastrukturën nënujore kritike të Britanisë.

Në një zhvillim tjetër, sensorë që mendohet të jenë vendosur nga Rusia për të spiunuar nëndetëset bërthamore të tipit Vanguard të Britanisë janë gjetur në ujërat jashtë brigjeve të vendit.

Gati 40 për qind e furnizimit me gaz të Britanisë importohet nga Norvegjia, pjesa më e madhe e të cilit vjen përmes një tubacioni të vetëm, 700 milje të gjatë, të quajtur Langeled. Gjithashtu, kabllot jetike të telekomunikacionit kalojnë nën ujë.