Pas takimit me krerët e koalicionit VLEN në Strugë, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm për unitetin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në një postim në Facebook, ai theksoi rëndësinë e bashkimit për të garantuar përfaqësim dinjitoz dhe efikas në të gjitha nivelet e pushtetit.
“Vetëm të bashkuar mund t’u japim shqiptarëve përfaqësimin që meritojnë – dinjitoz, efikas dhe me zë të fuqishëm në qeveri, në institucione dhe në çdo komunë,” ka shkruar Mexhiti, përcjell TS.
Ai bëri të ditur se takimi u zhvillua në Strugë, qytet që e përshkroi si simbol të historisë, kulturës dhe vizionit për të ardhmen.
“Në këtë qytet me rrënjë të thella historike dhe me një shpirt të gjallë modern, ndjeva energjinë e njerëzve që presin ndryshim të vërtetë. Struga është gati, dhe ne jemi gati,” theksoi ai.
Mexhiti informoi gjithashtu se në takim u diskutuan sfidat aktuale dhe u përcaktuan hapat konkretë për fuqizimin e veprimit politik në prag të zgjedhjeve lokale.
“Ka besim, ka vizion dhe mbi të gjitha ka një vullnet të qartë për të vazhduar me ndryshimin që ka sjellë një qeverisje të drejtë dhe të denjë për çdo qytetar,” përfundoi ai.