Ylli i njohur i mundjes dhe aktori, John Cena, ka zbuluar hapur se ka kryer një transplant flokësh si pasojë e komenteve të shumta negative në rrjetet sociale, të cilat i referoheshin pjesës tullace në pjesën e sipërme të kokës së tij.
Cena 47-vjeçar, i cili së fundmi ka fituar titullin e tij të 17-të botëror në WrestleMania, foli për këtë çështje gjatë një interviste në emisionin The Pat McAfee Show, ku theksoi ndikimin emocional që kishin pasur komentet fyese ndaj pamjes së tij.
“Ju më keni fyer për një problem gjenetik që nuk kam asnjë mundësi ta kontrolloj. Në mënyrë të njëzëshme, më bëni të ndihem i pavlerë dhe më turpëroni. Kjo është bullizëm i pastër dhe nuk është aspak e pranueshme”, deklaroi Cena.
“Faleminderit që më detyruat përmes bullizmit të bëj transplant flokësh. Ja deri ku më keni shtyrë”, pohoi ai.
Aktori mbrojti zgjedhjen e tij për të bërë këtë ndërhyrje estetike, duke theksuar se nuk ka asgjë për t’u turpëruar. “Shtatë nga dhjetë burra përballen me rënien e flokëve. Kam një problem dhe po përpiqem ta zgjidh”, u shpreh ai.