Lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë nuk po tregon asnjë shenjë ngadalësimi, Pekini është zotuar se do të “luftojë deri në fund”, vetëm disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të dyfishojë gati tarifat ndaj Kinës.
Kjo mund të çojë në një taksë marramendëse prej 104% për shumicën e importeve kineze, një përshkallëzim i fortë mes dy palëve.
Smartfonët, kompjuterët, bateritë me jon litiumi, lodrat dhe panelet e videolojërave përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve kineze në SHBA. Por ka edhe shumë produkte të tjera, që nga vidat deri te kaldajat industriale.
Me një afat që po afron në Uashington, ndërsa Trump kërcënon të vendosë tarifat shtesë që nga e mërkura, kush do të tërhiqet i pari?
“Do të ishte një gabim të mendohej se Kina do të tërhiqet dhe do të heqë tarifat në mënyrë të njëanshme,” thotë Alfredo Montufar-Helu, një këshilltar i lartë në Qendrën për Kinën në institutin kërkimor The Conference Board.
“Jo vetëm që do ta bënte Kinën të dukej e dobët, por do t’i jepte SHBA-së avantazh për të kërkuar edhe më shumë. Tani kemi arritur në një ngërç që me shumë gjasa do të çojë në dhimbje ekonomike afatgjatë.”
Tregjet globale kanë rënë që nga java e kaluar, kur tarifat e Trump-it, që synojnë pothuajse çdo vend, nisën të hyjnë në fuqi. Aksionet aziatike, që patën rënien më të madhe në dekada të hënën pasi administrata Trump nuk u tërhoq, u rimëkëmbën lehtë të martën.
Ndërkohë, Kina është kundërpërgjigjur me tarifa të barabarta, 34%, dhe Trump paralajmëroi se do të hakmerrej me një tarifë shtesë prej 50% nëse Pekini nuk tërhiqet.
Pasiguria është e lartë, me tarifa të tjera, disa mbi 40%, që pritet të hyjnë në fuqi të mërkurën. Shumë nga këto tarifa do të godasin ekonomitë aziatike: tarifat ndaj Kinës do të ngrihen në 54%, ndërsa ato ndaj Vietnamit dhe Kamboxhias do të arrijnë përkatësisht në 46% dhe 49%.
Ekspertët janë të shqetësuar për shpejtësinë me të cilën po ndodh kjo situatë, duke lënë pak kohë për qeveritë, bizneset dhe investitorët që të përshtaten ose të përgatiten për një ekonomi globale që po ndryshon në mënyrë të jashtëzakonshme.
Si po përgjigjet Kina ndaj tarifave?
Kina u përgjigj ndaj raundit të parë të tarifave të Trump-it me tarifa të barabarta për disa importe amerikane, kontrolle të eksporteve për metale të rralla dhe një hetim anti-monopol ndaj kompanive amerikane, përfshirë Google.
Edhe këtë herë ajo ka shpallur tarifa kundërpërgjigjëse, por gjithashtu duket se po përgatitet për dhimbje më të mëdha me masa më të forta. Ka lejuar që monedha e saj, juani, të dobësohet, çka i bën eksportet kineze më tërheqëse. Ndërmarrjet e lidhura me shtetin kanë filluar të blejnë aksione në bursë, në atë që duket si një përpjekje për të stabilizuar tregun.
Mundësia për negociata mes SHBA-së dhe Japonisë duket se i ka dhënë shpresë investitorëve, të cilët po përpiqen të rikuperojnë disa nga humbjet e ditëve të fundit.
Por përplasja mes Kinës dhe SHBA-së, eksportuesi më i madh në botë dhe tregu më i rëndësishëm i saj, mbetet një shqetësim madhor.
“Ajo që po shohim është një lojë për të parë kush mund të durojë më shumë dhimbje. Nuk po flasim më për ndonjë përfitim,” tha Mary Lovely, eksperte e tregtisë SHBA-Kinë në Institutin Peterson në Washington DC, për programin Newshour të BBC-së.
Pavarësisht ngadalësimit të ekonomisë së saj, Kina mund të jetë “shumë mirë e gatshme të përballojë dhimbjen për të mos u dorëzuar ndaj asaj që e konsideron agresion të SHBA-së,” shtoi ajo.
E tronditur nga një krizë e zgjatur në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nga papunësia në rritje, populli kinez thjesht nuk po shpenzon mjaftueshëm. Qeveritë lokale të mbytura në borxhe po ashtu e kanë të vështirë të rrisin investimet apo të zgjerojnë rrjetin e sigurisë sociale.
“Tarifat e përkeqësojnë këtë problem,” tha Andrew Collier, anëtar i lartë në Qendrën Mossavar-Rahmani për Biznes dhe Qeverisje në Harvard Kennedy School.
Nëse eksportet e Kinës pësojnë goditje, kjo dëmton një burim të rëndësishëm të ardhurash. Eksportet kanë qenë prej kohësh një faktor kyç në rritjen shpërthyese të Kinës. Dhe ato mbeten një motor i rëndësishëm, megjithëse vendi po përpiqet të diversifikojë ekonominë e vet me prodhim teknologjik të avancuar dhe konsum më të madh të brendshëm.
Është e vështirë të thuhet me saktësi se kur tarifat “do të fillojnë të ndihen, por ndoshta shumë shpejt,” thotë zoti Collier, duke shtuar se “Presidenti Xi përballet me një zgjedhje gjithnjë e më të vështirë për shkak të një ekonomie në ngadalësim dhe burimeve që po pakësohen.”
Diçka reciproke
Por nuk është vetëm Kina ajo që do ta ndiejë ndikimin.
Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, SHBA importoi mallra nga Kina në vlerë prej 438 miliardë dollarësh në vitin 2024, ndërsa eksportet amerikane drejt Kinës u vlerësuan në 143 miliardë dollarë, duke lënë një deficit tregtar prej 295 miliardë dollarësh.
Dhe nuk është e qartë se si SHBA-ja do të arrijë të gjejë furnizime alternative për mallrat kineze në një kohë kaq të shkurtër.
Përveç taksave mbi mallrat fizike, të dyja vendet janë “të ndërthurura ekonomikisht në shumë mënyra, ekziston një sasi masive investimesh në të dy drejtimet, shumë tregti digjitale dhe flukse të të dhënave,” thotë Deborah Elms, Drejtoreshë e Politikave Tregtare në Fondacionin Hinrich në Singapor.
“Ti mund të vendosësh tarifa vetëm deri në një pikë dhe për një kohë të kufizuar. Por ka mënyra të tjera me të cilat të dyja vendet mund të godasin njëra-tjetrën. Mund të thuash se nuk mund të përkeqësohet më, por ka shumë mënyra si mund të ndodhë pikërisht kjo.”
Edhe pjesa tjetër e botës po vëzhgon, për të parë se ku do të shkojnë eksportet kineze që përjashtohen nga tregu amerikan.
Ato do të përfundojnë në tregje të tjera, si ato të Azisë Juglindore, shton zonja Elms, dhe “këto vende po përballen me tarifat e veta dhe duhet të mendojnë: ku tjetër mund t’i shesim produktet tona?”
“Pra, jemi në një univers krejtësisht të ndryshëm, një që është me të vërtetë i turbullt.”
Si do të përfundojë kjo?
Ndryshe nga lufta tregtare me Kinën gjatë mandatit të parë të Trump-it, e cila kishte të bënte me negociata me Pekinin, “nuk është e qartë se çfarë po i motivon këto tarifa dhe është shumë e vështirë të parashikohet se ku mund të shkojë situata nga këtu,” thotë Roland Rajah, ekonomist kryesor në Institutin Lowy.
Kina ka një “paketë të madhe mekanizmash” për hakmarrje, shton ai, si për shembull zhvlerësimi i mëtejshëm i monedhës së saj ose vendosja e kufizimeve ndaj firmave amerikane.
“Unë mendoj se pyetja është: sa të përmbajtur do të jenë? Ka një lloj hakmarrjeje për të ruajtur fytyrën dhe një tjetër ku përdoret i gjithë arsenali. Nuk është e qartë nëse Kina dëshiron të ndjekë atë rrugë. Por ndoshta mund ta bëjë.”
Disa ekspertë besojnë se SHBA dhe Kina mund të angazhohen në bisedime private. Trump ende nuk ka folur me Xi-në që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse Pekini ka sinjalizuar vazhdimisht gatishmërinë e tij për të dialoguar.
Por të tjerë janë më pak optimistë.
“Unë mendoj se SHBA po e ekzagjeron rolin e saj,” thotë zonja Elms. Ajo është skeptike ndaj bindjes së Trump-it se tregu amerikan është aq tërheqës sa që Kina, apo ndonjë vend tjetër, përfundimisht do të dorëzohet.
“Si do të përfundojë kjo? Askush nuk e di,” thotë ajo. “Jam vërtet e shqetësuar për shpejtësinë dhe përshkallëzimin. E ardhmja është shumë më e vështirë dhe rreziqet janë shumë të mëdha.”