Kosova është duke përjetuar një nga momentet më të ndjeshme që nga shpallja e pavarësisë. Ngërçi politik nuk është më çështje procedurash apo numrash në Kuvend. Ai është bërë simptomë e një krize më të thellë: shkëputja dramatike mes klasës politike dhe realitetit të qytetarëve.
Ajo që dikur quhej “politikë shtetformuese” është shndërruar në një betejë për pushtet që e mban shtetin peng. Qeveria nuk po formohet. Institucionet janë të paralizuara. Ndërkohë, qytetarët po lodhen. Aleatët po humbin durimin. Dhe Kosova po rrëshqet drejt një kolapsi të heshtur.
Analisti Qani Shabani,theksonë se kriza aktuale nuk është vetëm politike, por edhe strategjike. “Po humbet orientimi shtetëror,” thotë ai. “Mosgatishmëria për bashkëpunim, mungesa e konsensusit dhe arroganca politike janë bërë tipare të përditshme. Kjo nuk është thjesht krizë funksionaliteti – është krizë identiteti institucional.”
Në këtë kontekst, lidershipi po dështon. Albin Kurti, një figurë që solli shpresë për transformim, përballet me provën më të madhe: a do të mund ta tejkalojë veten dhe të vendosë interesin e shtetit mbi atë të partisë? Retorika e ndryshimit nuk mjafton më – tani kërkohet frymë bashkëpunimi dhe guxim institucional.
Nga ana tjetër, LDK-ja, me përvojën e saj institucionale, nuk mund të rrijë pasivisht në pritje. Heshtja nuk është qëndrim politik, është bashkëfajësi. Ajo duhet të shfaqet si zë i arsyes dhe pjekurisë politike, duke treguar se Kosova është mbi çdo llogari momentale.
Pasojat e kësaj gjendjeje janë të shumta. Kosova rrezikon të zbehë pozicionin e saj ndërkombëtar në kohën më kritike – kur dialogu me Serbinë po kërkon unitet, dhe kur raportet me aleatët perëndimorë janë gjithnjë e më delikate.
Zgjidhja nuk është në tavolina të mbyllura. Ajo që duhet është një pakt i ri kombëtar, një qeveri e legjìtime dhe profesionale. Vetëm përmes përfshirjes dhe transparencës mund të ringjallet besimi qytetar dhe të shpëtohet kredibiliteti ndërkombëtar.
Historia e Kosovës është historia e sakrificës kolektive. Por sot, sfida është ndryshe. Nuk kërkohet gjak, por vetëdije dhe sakrificë personale nga liderët. Dhe kjo nis duke vënë kombin mbi veten.