Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj sulmit të mbrëmshëm siç e quajti ai, me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan. Në një deklaratë të ashpër, ai e ka cilësuar këtë akt si një përpjekje për të minuar sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Ky akt dhune, siç u shpreh Kurti, është një orvatje e drejtpërdrejtë për të penguar integrimin e qytetarëve të Kosovës në sistemin ligjor dhe institucional të shtetit.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës.”
Ai theksoi se ky sulm është një tentativë për të krijuar tensione artificiale dhe për të minuar funksionimin e institucioneve kosovare.
Kurti ka përmendur edhe lidhjen e individëve të njohur për lidhjet me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, të cilët vazhdojnë të mbeten të lirë dhe të shfrytëzohen nga pushteti në Serbi.
“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste,” shtoi ai, duke theksuar se qëndrimi në liri i Radoiçiq është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon veprime destabilizuese nga grupe kriminale dhe ekstremistë.
Kurti ka theksuar se Kosova është e vendosur të vazhdojë të mbrojë rendin dhe stabilitetin e vendit dhe se do të reagojë me forcë ndaj çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë e qytetarëve.
“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese,” u shpreh ai.
Në përfundim, Kryeministri Kurti nënvizoi se Posta e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë shërbime për qytetarët dhe se autoritetet janë duke kryer hetime për të zbuluar dhe ndëshkuar autorët e këtij sulmi.
“Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët,” theksoi ai.
Kryeministri përfundoi duke theksuar se shteti do të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë, dhe se nuk do të lejohet asnjë përpjekje për të sfiduar rendin kushtetues të Kosovës.