Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje shihet qartazi se nuk i ka numrat e nevojshëm për votimin e kryekuvendarit të ri, dhe për formimin e Qeverisë së re.
Në një deklaratë të lëshuar në Facebook, LDK pohon se çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa shumicën me 61 vota, përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare.
Ky subjekt politik shton se Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe legjitimitet të plotë politik.
“Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës dështoi për herë të tretë radhazi të konstituohet, duke konfirmuar edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar institucionet e reja të vendit”.
“Po ashtu, përpjekja e dytë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit përfundoi me dështim, duke theksuar se as pazaret politike e as shkeljet procedurale nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik dhe vullnetin real të deputetëve të zgjedhur nga qytetarët”, pohon LDK-ja.
Më poshtë keni gjashtë pikat ku LDK deklaron se në to riafirmohet pozicioni i saj i qartë:
Së pari, pranimi i dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë nga Komisioni për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve ka hapur rrugë për konstituimin formal të Legjislaturës së IX.
Së dyti, LDK-ja ka qenë dhe mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar.
Së treti, çdo zyrtar i Qeverisë që ka bërë betimin si deputet, duhet ta dijë se çdo vendim i tij ekzekutiv nga 27 marsi bie ndesh me ligjin dhe LDK është e bindur që përbën shkelje penale prandaj dhe duhet të hetohet.
Së katërti, pavarësisht përpjekjeve të pareshtura për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve përmes presioneve dhe kalkulimeve të dyshimta, realiteti është i qartë: Vetëvendosje nuk i ka numrat. Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare.
Së pesti, kushdo që pretendon qeverisjen e vendit, duhet të sigurojë minimalisht 61 vota. Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa këtë shumicë përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare.
Së fundmi, LDK-ja thekson se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe legjitimitet të plotë politik. Ne nuk do të lejojmë që Republika e Kosovës të bllokohet për interesa të ngushta partiake. Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjit.
Kuvendi i Kosovës ka votuar unanimisht për miratimin e raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve. 119 deputetë kanë votuar për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit. Pas kësaj, deputetët e bënë edhe betimin për legjislaturën e nëntë të kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar dy herë radhazi që t’ia sigurojë votat Albulena Haxhiut, të cilën e propozoi për kryetare kuvendi. Në votimin e parë, për Haxhiun ishin 57 deputetë pro, 20 kundër e tre abstenuan, kurse në herën e dytë ishin 57 pro, 19 kundër dhe tri abstenime./Klankosova.tv