Vanellope Hope Wilkins shënoi një rast të rrallë mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar kur erdhi në jetë në vitin 2017 pasi zemra e saj ndodhej jashtë trupit. Vogëlushja, e cila u quajt nga mjekët “e vetme në llojin e saj”, kreu tri ndërhyrje për të vendosur zemrën në kraharor, si rrjedhojë e një patologjie të rrallë që quhet “ectopia cordis”. 7-vjeçarja tani i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale revolucionare për të ndërtuar një kafaz rreth zemrës së saj duke përdorur brinjët. BBC ndoqi nga afër operacionin dhe raporton se vajza kishte vetëm një cipë të hollë lëkure rreth zemrës. Nitin Patwardhan, mjeku që e ka ndjekur Vanellope që kur lindi, thotë se nuk ka kryer kurrë një operacion të tillë.

Ectopia cordis ndodh në pak raste në miliona lindje dhe vogëlusshes iu dha më pak se 10% mundësi për të jetuar. Ajo tejkaloi parashikimet dhe u kthye në shtëpi pas 14 muajsh qëndrimi në spital.

Nga ai moment, ajo ka mbajjtur një protezë rreth kraharorit për të mbrojtur zemrën. Gjithashtu ajo ka nevoja të veçanta sepse i duhet kujdes 24 orë në ditë. Vanellope është e diagnostikuar me spektrin e autizmit dhe nuk flet. Nëna e saj, Naomi Findlay shprehet me krenari për të bijën, për lumturinë dhe gëzimin që sjell në shtëpi dhe guximin e saj në këtë rrugëtim, por nuk e fsheh frikën më të madhe: “Shumë ankth, shumë shqetësim dhe shumë emocione. Për mua frika më e madhe është ta dorëzoj dhe mos ta marr më mbrapsht”, thotë ajo. Ikenna Omeje, një nga kirurgët që e ka operuar Vanellope 50 minuta pasi lindi, përshkruan procesin vijues në detaje.

Ai tregon një skaner 3D të kraharorit të saj dhe tregon sesi zemra është ngjitur pas cipës së lëkurës që e mbron. Shkëputja është e rrezikshme. “Mund të dëmtosh enët e gjakut duke u përpjekur të hysh në boshllëkun e kraharorit”.

Fillimisht, 7-vjeçarja lidhet pas një makinerie bajpasi që kryen funksionet e zemrës dhe mushkërisë. Zemra e saj shfryhet dhe lejon kryerjen e ndërhyrjes së ndërlikuar, shkëputjes së zemrës. Më pas, brinjët e Vanellope thyhen në të dyja anët që të lëvizen për të formuar kafazin mbrojtës. Të gjitha këto operacione bashkë, të kryera në një pacient me ectopia cordis nuk janë kryer kurrë më parë në Britani. Duke qenë se ka arritur moshën 7-vjeçare, është e mundur që te Vanellope të bëhet kirurgjia rikonstruktive. E gjitha zgjat më shumë se 9 orë dhe rezulton një sukses i vërtetë. Vanellope vendoset në reanimacionin pediatrik dhe do të qëndrojë disa kohë në spital. Pas disa javësh, asaj do t’i hiqet proteza mbrojtëse dhe nuk do t’i nevojitet një operacion tjetër në të ardhmen