Kryetari i PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet politike vetëm pak orë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet për kryetarin e ri të këtij institucioni.
Duke folur për mundësinë që PDK të mbështesë një kandidate tjetër të propozuar jashtë partisë, siç janë emrat e përmendur nga AAK – Saranda Bogujevci apo Shqipë Selimi, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi – Lladrovci ka theksuar se koordinimi ndër partiak i bën mirë Kosovës.
“Po, është detyrë e partisë fituese që me reflektu, në drejtim të jetësimit të vullnetit të popullit, themelimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm,” ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet interpretuar me arrogancë nga fituesi relativ i zgjedhjeve.
“Përkundrazi, ajo duhet parë si reflektim dhe ndryshim të qasjes, ngase po vërehet qartë se ka mungesë numrash,” ka thënë Lladrovci.
Në lidhje me votimin e kryetarit të Kuvendit, ai ka kujtuar se deputetët kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre.