Sindikalistët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për të rritur pagën minimale në vend për së paku 6.000 denarë më shumë, respektivisht kërkojnë urgjentisht që paga minimale të rritet në 500 euro.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, për TVM2, thotë se deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje para për kërkesën e tyre.
Prej protestës së fundit të tyre janë në “status quo”, andaj thotë se nëse vazhdojnë të hasin në “vesh të shurdhër”, për 1 maj – Ditën ndërkombëtare të punëtorëve, planifikojnë masovikisht të dalin në rrugë për të protestuar, ndërsa në opsion është edhe greva e përgjithshme.
“Për momentin jemi duke pritur që të na ftojnë deputetët e zgjedhur për të biseduar, respektivisht jemi në pritje për t’i nxjerrë dhe propozuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për pagë minimale në vlerë prej 500 eurosh dhe rritje prej 6.000 mijë denarësh për të gjithë punëtorët. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë më 1 maj dalim në rrugë dhe jo vetëm atë ditë. Prej ditës kur ne mbajtëm seancën e hapur publike, ku publikisht kërkuam të bisedojmë për këto çështje, e deri më sot, asnjëri prej tyre nuk na ka ftuar e as nuk ka ardhur në LSM për të biseduar.”, – deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Lidhja e Sindikatave po ashtu kërkon që përveç rritjes së pagës minimale prej 500 eurosh, njëkohësisht të rriten edhe të gjitha pagat tjera të punëtorëve në vend. Qeveria duke vepruar në përputhje me ligjin dhe metodologjinë për pagën minimale, me të cilën janë respektuar të gjitha palët e interesuara, gjegjësisht sindikatat dhe punëdhënësit, shpallën shumën e pagës minimale në fund të marsit në vlerë prej 400 eurosh, respektivisht ajo është rritur për 1.800 denarë neto.