Zëvendëskryeministri i Maqedonisë se Veriut i ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai, mirëpriti sot në një takim pune z. Gabriel Gualano de Godoy, përfaqësues i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) në Shkup, për të diskutuar progresin e jashtëzakonshëm të arritur nga Maqedonia e Veriut në eliminimin e pashtetësisë.
Gjatë takimit u theksua se Maqedonia e Veriut është tashmë një shembull pozitiv në kuadër të Aleancës Globale për Eliminimin e Pashtetësisë, duke u renditur si lider rajonal dhe global në këtë fushë. Vendi ka zgjidhur pothuajse të gjitha rastet e pashtetësisë që rrjedhin nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me vetëm dy raste të pazgjidhura që përfshijnë qytetarë të ardhur nga republika të tjera të federatës që jetonin në territorin tonë para shpërbërjes.
Gjithashtu, janë evidentuar edhe 153 raste të tjera të pashtetësisë, të cilat lidhen kryesisht me mungesën e regjistrimit të fëmijëve pas lindjes. Nga këto raste, 90 për qind i përkasin komunitetit rom, 7% shqiptarëve, 1% maqedonasve dhe 2% grupeve të tjera etnike.
“Eliminimi i pashtetësisë është shumë më tepër se një sfidë statistikore – është një ndërhyrje humane dhe transformuese në jetën e individëve,” u theksua në takim. “Ndryshimet në Ligjin për Shtetësinë kanë pasur ndikim të thellë në jetët e shumë qytetarëve, duke rikthyer dinjitetin njerëzor të mohuar për më shumë se tridhjetë vite.”, theksoi Fetai.
Zëvendëskryeministri përsëriti përkushtimin e Qeverisë për të vijuar punën drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar gëzon të drejtën të ekzistojë me dinjitet dhe të kontribuojë në të ardhmen e përbashkët të vendit.
„Angazhimi ynë për ndryshimin e ligjit për shtetësinë ka transformuar jetën e këtyre njerëzve dhe familjeve, duka ua rikthyer dinjitetin njerëzor të mohuar për tre dekada me radhe. Ky angazhim nuk ndalet këtu. Do të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar ka të drejtë të ekzistojë me dinjitet dhe të kontribuojë në të ardhmen e përbashkët“, konstatoi Fetai.