Mensur Pajaziti është dënuar me dy vjet burg për vdekjen e Teodora Ristovskës në një aksident trafiku në Tetovë

Në gjykimin e përsëritur për vdekjen e Teodora Ristovskës në aksident trafiku, sot në Gjykatën themelore Tetovë, i akuzuari Mensur Pajaziti e pranoi fajin dhe pas paraqitjes së provave dhe fjalëve përfundimtare, gjykatësi Elvedin Ferati e dënoi me dënim me burg prej dy viteve. Mensur Pajaziti i lindir në 1973 është shpallur fajtor për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” për vdekjen e 22 vjeçare Teodora.
“Është fajtor sepse me 15.08.2022 në Tetovë si pjesëmarrës në komunikacion nuk i ka respektuar rregullat dhe me këtë ka rrezikuar komunikacionin publik. Ai ka qenë duke vozitur automobilin “BMW” dhe ka lëvizur përgjatë bulevardit me shpejtësi 59 kilometra në orë, e cila shpejtësi nuk i është përshtatur kushteve të rrugës për të mundësuar ndalimin e automobilit në kohë, ku edhe nuk i ka dhënë përparësi këmbësores Teodora Ristovska, tashmë e ndjera, e cila ka qenë duke kaluar në vendkalimin e shënuar për këmbësorë”, theksoi gjykatësi Elvedin Ferati gjatë leximit të vendimit.
Natasha Gjorçevska, avokatja e familjes Ristovski, në një deklaratë për media tha se rrethanat lehtësuese ishin më shumë në anën e të pandehurit. Ajo theksoi se nga ana e të akuzuarit nuk ka pasur keqardhje reale në proces, sepse gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, në vend të kësaj ai për një kohë të gjatë ka bërë analiza të çdo fjale dhe ka sulmuar mediat.
Pas aksidentit të trafikut në gusht 2022, në gjykimin e parë në nëntor të vitit 2023 pas pranimit të fajit Pajaziti u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Pas ankesës, Gjykata e Apekit ia uli dënimin në dy vjet, pastaj Gjykata Supreme i shfuqizoi të dy vendimet e Gjykatës themelore dhe Gjykatës së Apelit dhe lëndën e ktheu në rigjykim.
Të drejtë të ankesës ka Prokuroria, ndërsa familja si palë e dëmtuar, ka të drejtë vetëm për kërkesë pronësore-juridike.