Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Top Tema” në Sitel, komentoi situatën aktuale brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se Taravari duhet të jetë i sinqertë me anëtarësinë dhe të pranojë publikisht që po bashkëpunon me BDI-në.
“Taravari u largua nga BDI kur kjo parti nuk ishte në listat e zeza, ndërkohë që tani gjysma e funksionarëve të BDI-së janë nën hetime. Është e qartë se ai po afrohet sërish me të njëjtën parti që tashmë është e zhveshur nga çdo vlerë morale dhe institucionale. Taravari duhet ta thotë të vërtetën për këtë bashkëpunim dhe të mos fshehë qëllimet e tij për të kaluar me BDI-në”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se mendimi i tij është se Taravari nuk ka vend në këtë qeveri, dhe këtë ai do ia komunikon edhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Mexhiti theksoi se më e moralshme për Taravarin do të ishte ta braktisë qeverinë dhe të reflektojë për hapat që ka ndërmarrë.