Zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti, tha se Fronti Evropian më nuk ekziston dhe se sipas tij rregullat i ka thyer kreu i BDI-së Ali Ahmeti duke bashkëpunuar me Arben Taravarin nga koalicioni VLEN.

Për gazetën LAJM, Mexhiti nuk potencoi nëse Ziadin Sela do t’i bashkohet VLEN-in, mirëpo shtoi se do të ketë lëvizje të mëdha.

“Ka deklarata se “Fronti Evropian” nuk ekziston më. Këtë e ka deklaruar z.Taravari, pra prej jashtë i dinë punët më mirë se sa brenda frontit. Pra, këtu rregullën e ka thyer z.Ahmeti duke bashkëpunuar me pjesë të VLEN-it apo me Taravarin dhe nëse është kështu loja nuk ka mbaruar dhe pres që të ketë lëvizje më të mëdha”, tha Mexhiti.

Ai përmendi se VLEN-i pritet të përkrahet dhe nga deputetë të tjerë, pasi siç tha ai janë subjekt politik artikulues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.