Mickoski: Plani për rritje dhe Agjenda Reformuese nuk është vetëm kusht për integrim, ajo është një instrument për shërimin e shtetit tonë

Çdo popull ka momente kur duhet të zgjedhë: të qëndrojë në stagnimin e rehatshëm apo të përballet me nevojën për ndryshime të thella dhe të guximshme. Shteti është pikërisht në një moment të tillë – në udhëkryq mes sistemit të vjetër dhe të ardhmes së re evropiane.
Plani për rritje dhe Agjenda Reformuese nuk është vetëm kusht për integrim. Ajo është një instrument për shërimin e shoqërisë sonë. Integrimet dhe rritja janë busulla jonë, por reformat duhet të jenë vendimet tona, politikat tona, pjekuria jonë kombëtare.
Korrupsioni është një problem sistemik, jo një devijim individual.
Të jemi të hapur dhe të sinqertë – korrupsioni tek ne nuk është vetëm një dukuri, ai është pjesë e mënyrës së funksionimit të disa segmenteve të caktuara të shoqërisë. Ai është një sistem që e mbron vetveten. Nëse duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, nëse duam rritje, duhet ta rrëzojmë atë sistem.
Kemi situata të trashëguara në të cilat qytetari ndjehet i poshtëruar, i pafuqishëm, i detyruar të “paguajë për të marrë” – qoftë ndihmë mjekësore, mbrojtje ligjore apo ndonjë shërbim administrativ. Një shtet i tillë nuk mund të përparojë.
Ajo që është edhe më shqetësuese është që institucionet që duhet të luftojnë kundër korrupsionit – prokuroria dhe gjyqësori – shpeshherë janë të heshtura, joefikase ose nën ndikim politik.
Reformat në sektorin e gjyqësorit janë më urgjentet. Pa to, të gjitha reformat e tjera janë të pavlera.
Nuk ka shoqëri evropiane nëse:
Prokurori zgjedh ndaj kujt do të hapë lëndë, e ndaj kujt do të heshtë;
Gjykata jep vendime sipas qendrave politike dhe jo sipas Kushtetutës dhe ligjit;
Qytetari humbet besimin se do të fitojë drejtësi.
Të citoj një nga mendimtarët më të njohur, Zhan Klod Junker, ish-president i Komisionit Evropian:
“Evropa nuk mund të jetë një bashkësi interesash nëse nuk është para së gjithash bashkësi e vlerave.”
Drejtësia, të nderuar kolegë, është vlera më e lartë evropiane.
Përgjegjësia jonë si politikanë është të krijojmë kushte për:
Depolitizim të plotë të gjyqësorit
Mbrojtje të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga presionet politike dhe të biznesit, por edhe të tjera
Mekanizma të mbikëqyrjes së jashtme dhe llogaridhënie
Mbështetje të vërtetë dhe jo vetëm formale, të institucioneve për luftën kundër korrupsionit
Paralelisht me drejtësinë, punojmë për stabilitet ekonomik.
Asnjë shtet nuk zhvillohet vetëm me institucione – nevojitet një ekonomi funksionale. Prandaj Agjenda Reformuese dhe Plani për Rritje duhet të ecin krah për krah me mbështetjen për sipërmarrësit vendas, tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe një treg të ndershëm ku nuk ka monopole, lojtarë të privilegjuar apo barriera administrative për qytetarin e zakonshëm.
Evropa kërkon konkurrencë, por edhe përgjegjësi sociale. Kjo do të thotë inovacione, por edhe paga të drejta. Do të thotë rritje, por edhe mbrojtje për punëtorët.
Është koha për vendime, jo për shtyrje.
Qeveria të cilën e udhëheq është e vetëdijshme se pa dialog të hapur dhe partneritet të vërtetë me sektorin civil, nuk mund të arrihen reforma të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Prandaj, përkushtimi ynë është që ta thellojmë bashkëpunimin përmes:
konsultimeve të rregullta në hartimin e politikave,
sigurimit të mbështetjes financiare dhe institucionale për organizatat joqeveritare
dhe avancimit të kuadrit ligjor e cila garanton pjesëmarrjen tuaj në proceset vendimmarrëse.
Sektori civil na ndihmon të dëgjojmë zërat që ndonjëherë nuk arrijnë tek institucionet – zërin e të margjinalizuarve, zërin e të rinjve, zërin e komuniteteve lokale. Pikërisht për këtë arsye, duam të ndërtojmë një marrëdhënie të bazuar në besim, respekt dhe vizion të përbashkët për një të nesërme më të mirë.
Të nderuar,
Historia nuk do të na gjykojë për ato që kemi thënë, por për ato që kemi bërë. Nuk kemi nevojë për strategji shtesë, për premtime. Na duhet sinqeritet, qëndrueshmëri dhe zbatim. Na duhet një qasje e re ndaj drejtësisë, ndaj ligjit, ndaj shtetit.
Le të na udhëheqë mendimi i Robert Shuman:
“Evropa do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete që fillimisht do të krijojnë solidaritet.”
Është koha për arritje të tilla.
Ju uroj punë të suksesshme dhe ju garantoj hapjen tonë për sugjerime dhe bashkëpunim në këtë drejtim.