Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është një pjesë thelbësore e së tashmes dhe së ardhmes së Evropës, transmeton Anadolu.

Ministri Mucunski mori pjesë në panelin e titulluar “Përgjegjësia rajonale për një të ardhme të begattë në Ballkan”, i cili u mbajt në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF2025), ku Anadolu është partner i Komunikimit Global, krahas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ministrit të Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, si dhe zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Türkiyes, Mehmet Kemal.

Në fjalën e tij, Mucunski theksoi integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) si qëllim strategjik dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal si prioritet kyç të politikës së jashtme të vendit të tij.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, Mucunski tha se Ballkani Perëndimor nuk është një problem që duhet menaxhuar, por një rajon i gatshëm për përparim. Ai shtoi se rajoni nuk është një periferi, por “pjesë thelbësore e së tashmes dhe së ardhmes evropiane”.

Ai theksoi nevojën për një rrugë të qartë dhe të prekshme përpara drejt anëtarësimit të plotë në BE si dhe rëndësinë e përgjegjësisë rajonale politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Në këtë kontekst, ai iu referua tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku muajin e kaluar si pasojë e zjarrit në një lokal nate humbën jetën 61 persona. Ai këtë tragjedi e cilësoi si shembull të rëndësisë së afërsisë me fqinjët dhe fuqisë së solidaritetit.

Më tej, Mucunski potencoi rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor, forcimin e konkurrencës së sektorit privat dhe promovimin e zinxhirëve të vlerave rajonale si parakusht për rritje të qëndrueshme.

“Vetëm me këtë qasje mund të parandalojmë ikjen e të rinjve, të inkurajojmë qarkullimin e njohurive dhe të ndërtojmë një ekonomi afatgjate të bazuar në inovacion dhe njohuri”, tha Mucunski.

Shefi i diplomacisë maqedonase në fjalën e tij në panel theksoi rolin e SHBA-së si një partner të rëndësishëm që “ofron mbështetje jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin politik, por edhe për zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume