Mucunski në Luksemburg: RMV e orientuar drejt BE-së, harmonizojmë Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot dhe nesër do të jetë për vizitë pune në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në takimin joformal të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së, në formatin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetares së Komisionit Evropian, Kaja Kalas.
Në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, takimi ka për qëllim, në një format gjithëpërfshirës, të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë evropiane.
Në takim, siç informojnë nga kabineti i tij, pritet që ministri Mucunski të theksojë harmonizmin e plotë të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian – si konfirmim i orientimit strategjik drejt anëtarësimit të plotë në BE, por edhe si tregues i përkushtimit të vazhdueshëm në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve evropiane.
Në kuadër të vizitës, Mucunski do të realizojë takim dypalësh me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Gzavie Betel, si dhe takim të veçantë me Marta Kos, komisionera për zgjerim e Bashkimit Evropian.