“Mund të mos ia dal kësaj here”, orët e fundit të Papa Françeskut para se të ndërronte jetë. 17 minutat e takimit me JD Vance dhe dhurata për fëmijët e zv.Presidentit

Papa ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare – një ditë pasi bëri një paraqitje shumë të pritur në Sheshin e Shën Pjetrit në të Dielën e Pashkëve.
Papa Françesku doli dje për t’i uruar turmës prej dhjetëra mijëra njerëzish një “Gëzuar Pashkët” nga automjeti i hapur papnor. “Rroftë Papa! Bravo,” thërriste turma teksa Françesku kalonte nëpër shesh dhe pastaj përgjatë bulevardit kryesor që të çon atje.
Ai ndalej herë pas here për të bekuar foshnjat që i sillnin pranë. “Vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkët,” tha Françesku. Françesku nuk e kremtoi Meshën e Pashkëve në shesh, duke ia deleguar atë Kardinalit Angelo Comastri, ish-kryepriftit të Bazilikës së Shën Pjetrit. Por pasi përfundoi Mesha, Françesku u shfaq në ballkonin e lozhës mbi hyrjen e bazilikës për më shumë se 20 minuta dhe dha bekimin apostolik në latinisht.
Turma e njerëzve, që sipas Vatikanit ishte më shumë se 35,000 vetë, shpërtheu në duartrokitje teksa një bandë ushtarake filloi të luante himnin e Selisë së Shenjtë. Në total, Françesku qëndroi jashtë në një ditë pranverore me diell për rreth 50 minuta, me temperatura prej 21°C.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance gjithashtu u takua shkurtimisht me Papa Françeskun të dielën për të shkëmbyer urime për Pashkë. Françesku e priti Vance në një nga sallat e pritjes së hotelit të Vatikanit, ku jeton.
Ai i dhuroi zëvendëspresidentit katolik tre vezë të mëdha çokollate për tre fëmijët e tij të vegjël që nuk ishin të pranishëm, si dhe një kravatë të Vatikanit.
“E di që nuk je ndjerë mirë kohët e fundit, por është mirë të të shoh në gjendje më të mirë shëndetësore,” i tha Vance Papës. “Faleminderit që më pritët.” Eskorta e Vance hyri në Vatikan nga një portë anësore ndërkohë që po kremtohej Masha e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit.
Vatikani tha se ata u takuan për disa minuta në Domus Santa Marta për të shkëmbyer urime për Pashkë.
Zyra e Vance tha se zëvendëspresidenti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Papa Françeskut për ftesën që i bëri për t’u takuar në të Dielën e Pashkëve dhe për mikpritjen që Vatikani i ka ofruar familjes së tij. “Lutem për ju çdo ditë,” i tha Vance Papës teksa po largohej. “Zoti ju bekoftë.”
Në total, eskortës së Vance iu deshën 17 minuta për qëndrimin në territorin e Vatikanit. Vdekja tragjike e Papa Françeskut ka zhytur në zi 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën.
“Vëllezër dhe motra të dashur, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku,” tha Kardinali Kevin Farrell në deklaratën e publikuar nga Vatikani në kanalin e tij në Telegram.
“Këtë mëngjes në orën 7:35 (0535 GMT), Peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit.”
“E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij.”
Françesku kishte qenë pranë vdekjes dy herë më herët këtë vit, ndërsa vuante nga pneumonia. Ai qëndroi 38 ditë në spital përpara se të dilte më 23 mars. Gjendja e tij dukej se u përkeqësua ndërsa mjekët u detyruan të ndryshonin trajtimin për infeksionin e rrugëve të frymëmarrjes për shkak të një “situate klinike komplekse.”
Dhe atëherë u konfirmua se ai vuante nga pneumoni e dyfishtë pasi kishte bërë një rreze X. 88-vjeçari iu nënshtrua transfuzioneve të gjakut dhe u përshkrua si në gjendje “kritike”. Vatikani tha në atë kohë se “prognoza është e rezervuar”. Dy persona të afërt me Papën thanë se Françesku u kishte thënë atyre se “mund të mos ia dal kësaj here”, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rëndë të mushkërive, sipas një raporti nga Politico.
HOMAZHE NGA E GJITHË BOTA
Homazhe emocionale po derdhen nga e gjithë bota për Atin e Shenjtë. Mbreti Charles tha se ishte “thellësisht i trishtuar” kur dëgjoi për vdekjen e Papa Françeskut. Edhe Sir Keir Starmer i bëri homazh Papës, duke thënë: “Thellësisht i trishtuar të dëgjoj për vdekjen e Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku.
“Përpjekjet e tij të palodhura për të promovuar një botë më të drejtë për të gjithë do të lënë një trashëgimi të përhershme.
“Në emër të popullit të Mbretërisë së Bashkuar, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për gjithë Kishën Katolike.”
Kardinali Vincent Nichols, Kryepeshkopi i Westminster-it, i bëri homazh Papa Françeskut, duke thënë: “Një zë që shpallte dinjitetin e lindur të çdo njeriu, sidomos të atyre që janë të varfër apo të përjashtuar, tani është heshtur.”
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se gjatë gjithë pontifikatit të tij, Papa Françesku ishte gjithmonë në krah të më të brishtëve dhe më të pambrojturve, dhe e bëri këtë me shumë përulësi.
“Në këtë kohë lufte dhe brutaliteti, ai kishte ndjeshmëri për tjetrin, për më të dobëtin,” tha Macron për gazetarët.
Kryeministri holandez Dick Schoof tha: “Papa Françesku ishte në çdo aspekt një njeri i popullit. Komuniteti katolik global i jep lamtumirën një udhëheqësi që njohu çështjet më të nxehta të kohës sonë dhe i solli ato në vëmendje.”
Ndërkohë, tirani Vladimir Putin tha: “Pata privilegjin të komunikoj me këtë njeri të jashtëzakonshëm në shumë raste dhe do ta ruaj përherë në kujtimet më të dashura.”
LUFTA ME SHËNDETIN
Françesku, i cili e drejtonte Kishën Katolike që nga viti 2013, kishte një histori të problemeve me mushkëritë, pasi iu desh të hiqte një pjesë të një mushkërie për shkak të pleurisit kur ishte i ri.
Ai është shtruar në spital tre herë që kur u bë Papë në vitin 2013. Në vitin 2023, kaloi tre ditë në spitalin Gemelli, i cili ka një repart të veçantë për trajtimin e papëve, për një rast akut të pneumonisë.
Papa u dërgua me urgjencë në spital më 29 mars 2023, pasi ndjeu një dhimbje të fortë në kraharor dhe pati vështirësi në frymëmarrje.
Ai gjithashtu qëndroi në spital për nëntë ditë, vetëm pak muaj më vonë, për një ndërhyrje në bark.
Gjatë asaj operacioni, mjekët hoqën indet e mbetura nga ndërhyrjet e mëparshme dhe riparuan një hernie abdominale. Papa gjithashtu iu nënshtrua një operacioni në vitin 2021 ku iu hoq një pjesë e zorrës së trashë dhe qëndroi për 10 ditë në spitalin Gemelli.
PAPA ‘REFORMATOR’
Papa Françesku bëri histori kur u bë udhëheqësi i parë i Kishës Katolike nga Amerika. 76-vjeçari, Arqipeshkëv i Buenos Airesit, i lindur me emrin Jorge Mario Bergoglio, mori emrin e ri pasi u zgjodh më 13 mars 2013 për të pasuar Papa Benediktin XVI.
Ai lindi në Buenos Aires, Argjentinë, më 17 dhjetor 1936, nga prindër imigrantë italianë. Argjentinasi kishte punuar si rojtar nate (bodyguard/bouncer) përpara se të përkushtohej ndaj priftërisë, pasi ishte shëruar nga pneumonia në vitin 1958.
Françesku u shugurua prift më 13 dhjetor 1969 dhe u trajnua për një vit në Spanjë përpara se të kthehej në Argjentinë. Françesku mori detyrën e Papës në vitin 2014 dhe u pa si një modernizues i guximshëm, reformator dhe progresist.
Ai kishte mbështetur dekriminalizimin e homoseksualitetit, kishte paralajmëruar për rreziqet ndaj demokracisë dhe kishte përkrahur kauzën e refugjatëve.
Kur u bë Papë, ai refuzoi apartamentin madhështor papnor dhe zgjodhi të jetojë në një rezidencë modeste me dy dhoma.
LOJA E FRONIT
Pas vdekjes së Papa Françeskut në mëngjesin e së Hënës së Pashkës, vëmendja tani është përqendruar te pyetja se kush do ta pasojë atë.
Pasardhësi i tij do të zgjidhet nga një Konklav në një proces të lashtë dhe sekret që ka mbetur pothuajse i pandryshuar për qindra vjet.
Roli i udhëheqësit të Kishës Katolike merret nga një kardinal i lartë i zgjedhur, zakonisht deri në vdekjen e tij, e cila shpallet përmes sinjaleve të lashta me tym.
Fillimisht, vdekja e Papës duhet të konfirmohet nga një mjek, por shpallja zyrtare bëhet nga kamerlengu, shefi i personelit të Papës.
Ai thërret emrin e lindjes së Papës tri herë dhe zakonisht e godet lehtë kokën e tij me një çekan argjendi.
Nëse nuk ka përgjigje nga thirrjet dhe veprimet, vdekja shpallet zyrtarisht dhe zyrtarët e lartë të kishës, veçanërisht Kardinali Vikar i Dioqezës së Romës, njoftohen.
Publiku do të mësojë për vdekjen e Papës përmes tymit të zi të njohur si fumata nera, që del nga oxhaku i Kapelës Sistine.
Unaza e Papës, e njohur si Unaza e Peshkatarit, gjithashtu digjet pasi hiqet dhe shtypet nga kamerlengu, i cili gjithashtu do të mbyllë apartamentin e Papës, do të kyçë tryezën e tij dhe do të ndërpresë linjat e tij telefonike./Top-Channel/