U largua nga kjo botë Abdulla Latifi nga Sllupçani i komunës së Likovës, i njohur nga shokët si “Dalai” – një bir i devotshëm i kombit, një luftëtar i paepur i Ushtrisë Çlirimtare Kombetare. Një emër që nuk kërkoi kurrë tituj, por la gjurmë me sakrificë, përkushtim dhe besnikëri ndaj atdheut. Sot, ai nuk ka as ceremoni zyrtare, as fjalime boshe – por ka dhimbjen e heshtur të atyre që e njohën dhe e deshën, të atyre që e panë me armë në dorë, jo në fushata e tribunë.
Ndërkohë, mediat që çdo ditë shkruajnë “referate” për djemtë dhe të afërmit e politikanëve, për diplomime në Londër, për torta e ceremoni luksoze, nuk gjejnë as një titull për një burrë që një ditë kishte veshur uniformën për të mbrojtur tokën e tyre.
Ai që dha gjithçka, tani nuk përmendet askund. Kjo nuk është vetëm harresë – kjo është turp.
Për Dalain nuk ka klane, nuk ka lidhje me qeveri, nuk ka pushtet që ta detyrojë median të flasë. Por ka një popull që nuk harron. Ka shokë lufte që nuk heshtin. Ka zemra që nuk falin këtë heshtje të zhurmshme ndaj një njeriu që, ndoshta pa fjalë të mëdha, dha gjitha nga vetja për fjalën më të madhe – LIRI.
Sot ne nuk po e kujtojmë vetëm vdekjen e një veterani – po e kujtojmë vdekjen e ndërgjegjes mediatike dhe shoqërore. Dalai nuk është vetëm histori personale, është simbol i asaj që nuk guxojmë ta lejojmë: të jetojnë me lavdi ata që nuk sakrifikuan kurrë, dhe të vdesin në heshtje ata që sakrifikuan gjithçka.
Pusho i qetë, Dala. Ne nuk harrojmë. Ne flasim – kur të tjerët heshtin. /Shenoll Tahiri/Open-TV/