Sot, në ambientet e Komunës së Çairit u mbajt konferenca për shtyp, ku u prezantua programi i projekteve infrastrukturore të planifikuara për vitin 2025, të cilat janë pjesë e mbështetjes financiare të ndarë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e Komunës, të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Çairit dhe ekipi i tij, prezantuan në mënyrë të strukturuar dhe të detajuar investimet strategjike që synojnë zhvillimin urban, përmirësimin e infrastrukturës publike dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.

U bë e ditur se vlera e përgjithshme e projekteve infrastrukturore për vitin 2025 kap shifrën prej rreth 8.7 milionë euro, ndërsa projektet që tashmë janë në proces realizimi në lagjet Dizhon, Sahat Kullë dhe Seravë arrijnë një vlerë prej mbi 2.7 milionë euro.

Përmes një materiali vizual të dedikuar, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin nga afër projektet konkrete të cilat përfshijnë modernizimin e rrjeteve nëntokësore, rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e objekteve edukative si çerdhe për fëmijë, si dhe krijimin e hapësirave të reja publike në të gjitha lagjet e komunës.

Komuna e Çairit riafirmon angazhimin e saj për të vijuar me realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit komunal, duke vlerësuar mbështetjen e Qeverisë në përkrahje të komunave përmes fondeve të dedikuara për projekte infrastrukturore.