Një ngjarje e çuditshme është raportuar në Lipjan, ku një qytetar ka kërkuar ndihmën e Policisë për gjetjen e veturës së tij luksoze, një Audi Q7, që kishte parkuar në muajin shkurt.

Raportohet ser pronari i veturës, S.M kishte parkuar automjetin e tij në rrugën “Ibrahim Rugova” afër fshatit Konjuh, përballë pompës së derivateve në datat 25 ose 27 shkurt 2025 – edhe pse vetë nuk është i sigurt për datën e saktë të parkimit.

Sipas tij, më 16 prill 2025, kur kishte shkuar për ta marrë veturën, kishte konstatuar se ajo nuk ndodhej më në vendin ku e kishte lënë. Megjithatë, rasti është denoncuar në Polici vetëm më 28 prill, gati dy javë pas zbulimit të zhdukjes.

Vetura e raportuar si e zhdukur është një Audi A7, prodhim i vitit 2018, ngjyrë gri.

Policia e Lipjanit ka hapur rastin si “Vjedhje e veturës” dhe njësitë hetimore janë duke ndërmarrë veprime për të lokalizuar automjetin dhe për të ndriçuar rrethanat e ngjarjes, e cila për nga mënyra e raportimit dhe vonesa e lajmërimit, konsiderohet e pazakontë.