“Një pandemi e re është e pashmangshme – mund të ndodhë nesër, por edhe pas 20 vitesh”, thotë Ghebreyesus nga OBSH

“Pandemia e radhës do të ndodhë – kjo nuk është një rrezik teorik, por një siguri epidemiologjike”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Duke folur në hapjen e sesionit të 13-të të Trupit Ndërqeveritar Negociues (INB), i cili po përgatit një marrëveshje për parandalimin e pandemive, ai rikujtoi pasojat e tmerrshme të shpërthimit të COVID-19 në botë, duke theksuar se “pandemia e ardhshme nuk do të presë”.
“Një pandemi e re mund të shpërthejë pas 20 vitesh ose ndoshta nesër. Por ajo do të ndodhë, dhe në çdo rast ne duhet të jemi të përgatitur”, tha ai, duke rikujtuar se sipas të dhënave zyrtare nga COVID-19 kanë vdekur rreth 7 milionë njerëz, por vlerësimet jozyrtare flasin për rreth 20 milionë viktima.
Ghebreyesus u shpreh i bindur për mundësinë e arritjes së konsensusit në negociatat për marrëveshjen pandemike.
“Një marrëveshje e tillë në asnjë mënyrë nuk do ta cenojë sovranitetin e asnjë shteti anëtar të OBSH-së, përkundrazi, do ta forcojë sovranitetin kombëtar dhe veprimin ndërkombëtar,” tha ai.
Ai theksoi se beson që shtetet anëtare janë “të gatshme të bëjnë histori” dhe u bëri thirrje të mos e hedhin poshtë punën trevjeçare të bisedimeve, por të arrijnë një marrëveshje në luftën kundër pandemive.
Ai u bëri thirrje 194 shteteve të bëjnë marrëveshjen kundër pandemive një simbol të mundësisë që bashkësia ndërkombëtare mund të bashkëpunojë, pavarësisht ndarjeve aktuale.
“Mos harroni se epidemi të mëdha si ajo e Ebolës janë duke u regjistruar aktualisht nëpër botë. Një pandemi mund të vrasë më shumë njerëz dhe të shkaktojë dëme më të mëdha ekonomike se sa një luftë,” shtoi Tedros.
Shtetet anëtare tashmë e kanë shtyrë afatin me një vit për arritjen e marrëveshjes dhe i kanë dhënë vetes afat deri në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në maj në Gjenevë për ta përmbyllur atë.
Megjithatë, ndarjet mbeten të mëdha për çështje të caktuara, përfshirë pronësinë intelektuale, shkëmbimin e informacionit për patogjenët apo një qasje të unifikuar ndaj shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit – raportojnë mediat zvicerane.