Një tunel gjigant po ndërtohet nën Detin Baltik, duke lidhur Danimarkën me Gjermaninë dhe duke përfaqësuar një nga arritjet më të mëdha inxhinierike në botë. Tuneli Fehmarnbelt, me një gjatësi prej 18 kilometrash, do të jetë tuneli më i gjatë rrugor dhe hekurudhor në botë, shkruan BBC.

Ky projekt pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit ndërmjet Kopenhagës dhe Hamburgut, nga pesë në vetëm 2.5 orë, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet midis Skandinavisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Për më tepër, rruga e re do të ofrojë alternativë më të shpejtë dhe më miqësore me mjedisin për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.

Tuneli po ndërtohet në mënyrë të veçantë: në vend që të gërmohet nëpër shtratin e detit, ai do të përbëhet nga 90 elementë gjigantë të parafabrikuar prej betoni dhe çeliku të përforcuar, të cilët do të vendosen mbi shtratin detar dhe do të bashkohen një nga një, si lodrat e Lego-s.

Zona kryesore e ndërtimit ndodhet në ishullin Lolland në juglindje të Danimarkës, ku është ndërtuar një objekt i përmasave të mëdha – përfshirë një port dhe një fabrikë e posaçme që prodhon elementët e tunelit, secili prej të cilëve është 217 metra i gjatë dhe 42 metra i gjerë.

“Ky është një projekt me përmasa të jashtëzakonshme”, ka thënë Henrik Vincentsen, drejtori i përgjithshëm i Femern, kompania shtetërore daneze që po realizon ndërtimin. “Tunel nën det të parafabrikuar janë ndërtuar më parë, por kurrë në këtë shkallë. Ne po thyejmë rekorde”.

Tuneli pritet të kushtojë rreth 7.4 miliardë euro. Është financuar kryesisht nga Danimarka, ndërsa 1.3 miliardë euro nga Komisioni Evropian.