Në Gjykatën Penale Themelore në Shkup ka filluar dëshmia e Lupço Palevskit, i akuzuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi.

Palevski në dëshminë e tij tha se nuk ndihet as si përbindësh, as si vrasës dhe mohoi se ka kryer rrëmbimet dhe vrasjet.

“Unë nuk i kam kryer as vrasjet, as rrëmbimet. Thjesht nuk kam asnjë motiv për këtë, sepse në depon e Prokurorisë Themelore Publike ndodhet një hard disk Toshiba i cili është sekuestruar me një procesverbal në të cilin ka mbi 200 mijë biseda telefonike, neveri të kësaj elite politike, por edhe të profesionit të gazetarit, dhe po të kisha dashur të realizoja çdo lloj përfitimi material, mund të kisha shantazhuar miliarderë me Ferari dhe të tjerë, por, nuk e bëra këtë. Kështu që, jo vetëm që nuk e kam bërë, por nuk kam asnjë motiv që të bëj një krim të tillë”, tha Palevski.

Për mediat tha se janë të korruptuara dhe janë të ushqyera me gënjeshtra që duhej t’i kontrollonin.

“Një vit e gjysmë bërtasin se ka prova, përdersia isha në Turqi, në atë periudhë kisha një avokat turk që më përfaqësonte para gjykatës turke dhe më njoftoi, më dha një kopje të shtypur të lajmit ku më përshkruanin, siç më përshkruanin. Në konferencën për shtyp të mbajtur më 5 dhjetor kur është bërë kallëzimi penal, shoh se ka pasur vetëm një ekspertizë në momentet e mbajtjes së asaj konference për shtyp. PP-ja derisa ka ngritur padinë penale ka bërë ekspertizë vetëm të telefonit të të vrarit Pançe Zhezhovski dhe atë dy ekspertiza për vija papilare dhe ADN. Të gjitha ekspertizat tjera janë bërë pas 5 dhjetorit#, tha Palevski.

Para Palevskit dëshmuan të gjithë të dyshuarit e tjerë.

Në aktakuzë qëndron se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorçevski së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e Vanjës 14-të vjeçare me qëllim që ta detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë mjete në para për shpërblim. Rrëmbimi i Pançe Zhezhovskit të dëmtuar në Veles, sërish, sipas aktakuzës, ishte me qëllim që ta detyrojnë t’ua japë automjetin e tij “Citroen” për ta shfrytëzuar për rrëmbimin e fëmijës në Shkup.

Vanja e mitur dhe banori nga Velesi, më 27 dhe 24 nëntor u raportuan të zhdukur, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.