Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, vlerëson se problemi me telefonat, drogën dhe sendet e ndaluara në burgje mund të zgjidhet vetëm nëse ndëshkohen policët e korruptuar të burgjeve, të cilët, sipas vlerësimeve të tij, në disa burgje përbëjnë më shumë se 50 për qind.

“Kemi të bëjmë me një grup të lidhur të punonjësve të burgjeve dhe të dënuarve. Nëse arrijmë t’i largojmë një nga një të korruptuarit nga sistemi, do të mund të zgjidhim problemin me telefonat, drogën dhe sendet e ndaluara. Derisa ata të mendojnë se mund të kalojnë pa u ndëshkuar, gjithmonë do të ketë telefona, drogë dhe sende të palejuara,” tha Pandov në konferencën për shtyp në Qeveri.

Për krahasim, ai theksoi se në vendin tonë janë gjetur rreth një mijë telefona për nëntë muaj, ndërsa në Kroaci në vitin 2023 vetëm 26 telefona celularë, dhe në Kosovë 51 gjatë vitit 2024.

“Kemi trashëguar një sistem jashtëzakonisht të korruptuar, por ajo që është për t’u gëzuar është dëshira e madhe për ta luftuar këtë krim,” shtoi ai.

Lidhur me vendosjen e bllokuesve për sinjalet e telefonave celularë si zgjidhje, Pandov tha se problemi qëndron në faktin se shumica e burgjeve janë të rrethuara me objekte të banuara apo afariste dhe vendosja e bllokuesve do të ndikonte edhe te qytetarët që jetojnë ose punojnë aty.

“Në Kroaci nuk ka bllokues dhe nuk ka telefona. Më sigurojnë të gjithë ata që kanë punuar për vite në burgje se nuk ka zgjidhje më të mirë se kontrollet fizike,” tha Pandov.

Ai informoi gjithashtu se janë përfunduar të gjitha procedurat për përdorimin e byzylykëve elektronikë për të dënuarit, të cilët pritet të vihen në funksion javët e ardhshme. Po ashtu, Ministria e Financave ka dhënë leje për punësimin e 171 personave të rinj, shumica prej tyre si policë të burgjeve.