Depueteti i koalicionit VLEN Bekim Qoku, njëherësh kështilltar i kryeministrit Albin Kurti ka shpalosur propozimin që ia ka bërë kryetarit të ASH-së, Arben Taravari, para mbajtjes së Kuvendit partiak, për të dalë bashkë në zgjedhjet lokale.
Qoku thotë se propozimi i tij është pranuar nga tre liderët tjerë të VLEN-it.
“Pas takimeve që i kam pasur sot me kryetarët e VLEN-it, në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje që do e dërgonte VLEN-in në zgjedhje lokale bashkë dhe do e ruante unitetin brenda tij, gjithnjë duke qenë palë neutrale (pa pretendime për çfarëdo hise në zgjedhje lokale), po e bëj një propozim me të cilin janë dakorduar kryetarët e Lëvizjes Besa – Bilall Kasami, i Lidhjes Demokratike – Izet Mexhiti dhe i Alternativës – Zeqirija Ibrahimi.
Duke dashur që të ndihmohet Aleanca për Shqiptarët që të marrë vendim për të shkuar bashkërisht në zgjedhje, propozimi është që tre partitë e apsotrofuara të kenë nga tre komuna të sigurta për kandidim dhe të katërtën potencialisht, ndërsa Aleanca për Shqiptarët të ketë katër të sigurta dhe të pestën potencialisht, si dhe duke e privilegjuar ASH-në me dy komuna urbane, që realisht fitohen, dhe që në përqindje ajo kap kuotën prej 35% të komunave. Konkretisht propozoj që Aleanca për Shqiptarët t’i ketë kandidatët e këtyre komunave:
1. Gostivar,
2. Strugë,
3. Vrapçisht,
4. Likovë/Haraçinë/Studeniçan (ta zgjedhë një) dhe
5. Bërvenicë/Çashkë (ta zgjedhë një).
Po ashtu ata janë dakord me propozimin e Riadit që aty ku është kandidati i një partie, ajo të ketë edhe 40% të listës, ndërsa pjesa tjetër e pushtetit lokal të shpërndahet në mënyrë që edhe partitë e tjera të jenë të përfshira (kryesues i Këshillit Komunal, sekretari i komunës, drejtori i ndërmarrjes etj.).
Për komunat që do të shpërndahen për partitë e tjera të VLEN-it, ata janë shprehur të gatshëm të merren vesh detyrimisht, por presin që së pari ky propozim të pranohet si vullnet i mirë i tyre për marrëveshje mirëbesimi.
Nëse pranohet ky propozim, ata janë dakord që nga java e ardhshme të fillohet me themelimin e shtabeve të përbashkëta të VLEN-it, që përveçse do të shërbejnë për zgjedhje lokale, do të jenë edhe mundësi e mirë për kohezionin e koalicionit, që më pastaj të rezultojë me fuzionim në një parti të përbashkët VLEN, çka është edhe dëshira dhe kërkesa e bazës së secilës parti dhe e qytetarëve. Ky unifikim do ta konsolidonte njëherë e mirë skenën politike shqiptare të MV prej dy blloqesh atë të VLEN-it na njëra anë dhe BDI-në nga ana tjetër.
Uroj të jetë propozim që e ndihmon Aleancën për Shqiptarët dhe, në përgjithësi, VLEN-in, për ta kapërcyer këtë ngërç dhe për të mundësuar fitore kombëtare dhe politike.
Ky propozim bëhet pikërisht sot, pa pritur të mbajmë takimin e radhës të Grupit të deputetëve, për arsyen e vetme sepse ASH e ka caktuar mbajtjen e Kuvendin të partisë nesër, ashtu që ta ketë si ofertë për debat të brendshëm dhe për të marrë vendimin më kolegjial të mundshëm”, qëndron në propozimin e shpalosur nga Qoku.