Kuvendi i Maqedonisë do të fillojë sot seancën e 42-të, ndërkohë që deputetët, në kuadër të seancës së 38-të, do të votojnë për pikën e vetme që mbeti e pazgjidhur – Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimet pensionale dhe invalidore, sipas procedurës së shkurtuar. Për deputetët, këto do të jenë seancat e para pas pushimit dyjavor, pas tragedisë në Koçan më 16 mars, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 190 u plagosën.

Seanca e 42-të është e replanifikuar, dhe në të do të shqyrtohen propozime ligjesh, përfshirë Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës, Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, Propozim-ligjin për lirimin nga pagesa e disa kontributeve të sigurimeve sociale për shkak të rritjes së pagës, si dhe Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për libra shkollorë në arsimin fillor dhe të mesëm.

Në seancën sipas procedurës së shkurtuar, janë propozuar gjithashtu Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për arsimin fillor, Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për arsimin profesional dhe trajnimin, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për ushqimin e subvencionuar studentor, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për inspektoratet arsimore, si dhe Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për ndalimin dhe parandalimin e aktiviteteve të pa regjistruara, por ky i fundit do të shqyrtohet në leximin e parë.

Në kuadër të kësaj seance, deputetët do të shqyrtojnë edhe kërkesën për interpretim autentik të nenit 44, paragrafi 2 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesave (Gazeta Zyrtare e RM, nr.12/2019), e paraqitur nga kryetari i Komunës së Gjevgjelisë.

Sot, në Kuvend do të mbahen gjithashtu seanca të tri komisioneve.