Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë për një periudhë 90 ditore tarifat që kishte vendosur ndaj importeve të mallrave amerikane, pas njoftimit të presidenti amerikan Donald Trump, i cili pezulloi në mënyrë të përkohshme zbatimin e tarifave.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se kjo masë është një mundësi për t’i dhënë shanset e duhura dialogut dhe për të evituar përshkallëzimin e tensioneve tregtare.

Sipas raportimeve të BBC, 26 shtetet anëtare të BE-së ishin dakorduar për miratimin e masave kundërpërgjigjëse, disa orë përpara shpalljes së pauzës 90-ditore nga Trump. Komisioni Evropian kishte hartuar një plan për t’i futur këto masa në fuqi në tre faza. Faza e parë parashikonte tarifa ndaj mallrave amerikane që arrijnë në vlerën 3.9 miliardë euro dhe që importohen në BE, duke filluar nga 15 prilli.

Faza e dytë, që pritej të niste më 15 maj, do të përfshinte mallra me një vlerë 13.5 miliardë euro, dhe faza e tretë, që do të niste më 1 dhjetor, do të përfshinte 3.5 miliardë euro mallra të tjera.

Këto masa ishin një përgjigje ndaj taksave prej 25% që Presidenti Trump vendosi për çelikun dhe aluminin.

Pezullimi i tarifave për 90 ditë ofron mundësi që të vazhdojnë bisedimet për një zgjidhje të përbashkët, duke ulur mundësinë e një lufte tregtare më të gjerë mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.